Një embargo e papritur ndaj alkoolit në Bahamet ka shkaktuar reagime të forta te mijëra turistë, të cilët po shohin pushimet e tyre në Karaibe të ndryshojnë papritur. Masa prek të gjithë vizitorët, përfshirë pasagjerët e anijeve turistike, të cilët nuk do të mund të blejnë pije alkoolike sapo të zbresin në territorin e Bahameve. Vendimi lidhet me zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në vend më 12 maj.
Qeveria e Bahameve, duke zbatuar legjislacionin për sigurinë kombëtare gjatë procesit zgjedhor, ka ndaluar shitjen e alkoolit në të gjithë territorin, përfshirë ishujt privatë dhe resortet turistike. Royal Caribbean njoftoi pasagjerët e saj përmes një letre, duke sqaruar se pavarësisht përpjekjeve për të përjashtuar zonat turistike, kufizimi do të zbatohet në të gjithë vendin.
Lajmi ka shkaktuar pakënaqësi te shumë turistë, sidomos ata që kishin planifikuar festa apo përvjetorë gjatë pushimeve të tyre. “Nëse do ta dinim më herët, do të kishim zgjedhur një itinerar tjetër”, shkroi një pasagjer në rrjetet sociale, duke kritikuar njoftimin e vonuar. Nga ana tjetër, kompania theksoi se është e detyruar të respektojë ligjet dhe rregulloret lokale të vendit pritës. Megjithatë, turistët do të mund të konsumojnë alkool në bordet e anijeve turistike, pasi ndalimi zbatohet vetëm në territorin e Bahameve. Kjo do të thotë se pijet alkoolike nuk do të shiten në bare, restorante apo plazhe private në ishuj, por do të vazhdojnë të ofrohen normalisht në anije, ku vlejnë rregullat e kompanive turistike dhe jo legjislacioni zgjedhor vendas.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









