Ndeshja mes Elbasanit dhe Egnatias në “Air Albania” nxori në pah një fakt të pakundërshtueshëm tek Egnatia: Rrogozhinasit janë një skuadër krejtësisht e ndryshme me Sumaila Bakajoko në repartin e avancuar dhe shpresat e titullit kampion të rrogozhinasve, do të varen shumë nga ajo që do të bëjë sulmuesi 24-vjeçar.
Sezoni i Bakajoko ka qenë shumë i çrregullt, jo për shkakun e tij. Duke qenë në vitin e fundit të kontratës me Egnatian, rrogozhinasit tentuan t’i bënin presion 24-vjeçarit për rinovimin duke e ulur në stol apo mbajtur në tribunë për një periudhë të gjatë. Një strategji e pranuar publikisht nga Edlir Tetova, që dështoi në mënyrë të dukshme pasi asnjë nga emrat e tjerë që e zëvendësuan në repartin e avancuar, nuk kishin impaktin e tij në fushën e lojës.
Në javët e fundit, me titullin që po largohej, Egnatia ndryshoi kurs dhe rifilloi aktivizimin e tij të rregullt nga minuta e parë. Goli ndaj Partizanit ishte hapi i parë i rikthimit, ndërsa vula u vendos me dy golat e të dielës ndaj Elbasanit, ashtu si edhe me rastet e rrezikshme që krijonte sa herë kishte topin në këmbë.
Bilanci në total flet për 26 ndeshje edhe 9 gola në kampionat nga sulmuesi që ka luajtur thuajse gjysmën e minutave të Buriç i cili ishte afruar për ta zëvendësuar, por është ndalur deri tani në kutën e 6 golave, duke lënë futbollistin nga Bregu i Fildishtë si golashënuesin kryesor të ekipit rrogozhinas. Qartësisht, shpresat e titullit kampion, do të varën shumë nga forma që do të shfaqë ai në dy ndeshjet e radhës.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








