Këngëtarja e njohur britanike Jessie J ka zbuluar se është zyrtarisht pa kancer, 11 muaj pasi u diagnostikua me kancer gjiri. Artistja 38-vjeçare ndau lajmin emocionues me ndjekësit në Instagram pas kontrollit të saj vjetor në spital, duke treguar se shpërtheu në lot sapo mori rezultatet.
Në një video të publikuar nga spitali, Jessie tregoi momentet para rezonancës magnetike (MRI), ndërsa foli hapur për ankthin dhe frikën që po përjetonte.
“Jam rikthyer për kontrollin tim vjetor dhe sinqerisht po vdes nga frika,” tha ajo në video.
“Duhet të futem për rezonancën magnetike, të bëj sikur nuk kam klaustrofobi… shpresoj që gjithçka të dalë mirë, energji pozitive dhe mos u shqetësoni për asgjë.”
Pak më vonë, këngëtarja ndau lajmin e madh në përshkrimin e postimit të saj:
“Rezultatet dolën dhe unë jam pa kancer!
Qava për orë të tëra dhe më pas mora frymë lirshëm për herë të parë pas një viti.”
https://www.instagram.com/reel/DYnIR1OuGRH/?igsh=MWIzZzdwOXlma3N3bw==
Jessie kishte zbuluar në qershor të vitit të kaluar se ishte diagnostikuar me kancer gjiri dhe iu nënshtrua një mastektomie, pasi mjekët e zbuluan sëmundjen në fazë të hershme. Megjithatë, rrugëtimi i saj nuk ishte i lehtë. Artistja tregoi se iu desh të anulonte turneun muzikor për shkak të operacioneve dhe trajtimeve, ndërsa më vonë u informua se do të kishte nevojë edhe për një ndërhyrje të dytë kirurgjikale.
“Kanceri është i tmerrshëm, por falë Zotit e zbulova herët,” është shprehur ajo në një intervistë të mëparshme.
Këngëtarja ka folur shpesh edhe për ndikimin emocional që pati sëmundja në jetën e saj personale dhe marrëdhënien me djalin e saj, Sky.
“Dje qava. Ndihem sikur nuk mund të jem nëna që dua për djalin tim dhe më mungon. Ndihem sikur kanceri më ka vjedhur kujtime me të,” rrëfeu ajo në podcastin e Jamie Laing.
Artistja shtoi se gjatë betejës me sëmundjen pati edhe momente të errëta ku mendoi për më të keqen.
“Kam pasur momente kur mendoja se kjo mund të përfundonte keq dhe se mund të vdisja.”
Pas lajmit të lumtur, shumë personazhe të njohur dhe fansa kanë reaguar në rrjetet sociale duke e përgëzuar këngëtaren për forcën dhe rikuperimin e saj.









