Harry Styles dhe Zoë Kravitz duket se janë gati të hedhin hapin më të rëndësishëm në marrëdhënien e tyre. Mediat ndërkombëtare raportojnë se çifti po planifikon një ceremoni martese private dhe intime në Mbretërinë e Bashkuar gjatë periudhës së dimrit.
Sipas raportimeve të fundit, këngëtari britanik dhe aktorja amerikane janë fejuar pas një romance që ka tërhequr vëmendjen e mediave rozë gjatë muajve të fundit. Dyshimet për fejesën u shtuan pasi Zoë u fotografua së fundmi me një unazë të madhe diamanti në gishtin e martesës.
Fillimisht u përfol se çifti po mendonte një dasmë luksoze verore në Paris ose në rivierën franceze, por tani duket se planet kanë ndryshuar. Burime pranë çiftit kanë bërë të ditur për “Page Six” se Harry dhe Zoë preferojnë një ceremoni më private, vetëm në praninë e familjarëve dhe miqve më të afërt.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që çifti të organizojë dy ceremoni të ndryshme. Njëra prej tyre mund të mbahet në Londër, ndërsa tjetra në New York City, për shkak të lidhjes së fortë të Zoë me familjen e saj, veçanërisht me të atin, Lenny Kravitz.
Burime pranë aktores thonë se Zoë tashmë ka nisur të mendojë për detajet e ceremonisë, duke diskutuar ide për fustanin, dekorin dhe tematikën e eventit. Çifti ende nuk ka konfirmuar publikisht lajmet për fejesën apo planet e martesës, por fansat janë tashmë në pritje të një prej dasmave më të komentuara të showbiz-it.









