Kosova ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes miqësore kundër Andorrës, e cila zhvillohet të dielën, më 7 qershor, në orën 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Përzgjedhësi Franco Foda, së bashku me stafin e tij, ka punuar në detajet e fundit taktike, organizimin e lojës dhe zbatimin sa më të mirë të detyrave në fushë.
Atmosfera brenda ekipit është pozitive, ndërsa Dardanët janë të motivuar që në ndeshjen e radhës të shfaqin një paraqitje të mirë dhe të rikthehen te fitorja para tifozëve të tyre.
Para seancës stërvitore, në konferencën për media u paraqitën përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda, ndërsa menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala dha informacione rreth përbërjes së ekipit.
Shala konfirmoi se portieri Arijanet Muriç është liruar nga grumbullimi pas shqetësimeve që kishte ndier gjatë seancave stërvitore.
“Pas vendimit të stafit të trajnerëve, në bashkëpunim me stafin mjekësor, është vendosur që të mos rrezikohet më tej dhe ai është liruar mbrëmë nga grumbullimi”, bëri të ditur Shala.
Ekipit nuk ka arritur t’i bashkohet portieri Amir Saipi për arsye familjare. Për të njëjtat arsye nga grumbullimi është liruar edhe sulmuesi Rilind Nivokazi.
“Rilindi ka pasur një situatë të ndjeshme në familjen e tij dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mbarë”, theksoi Shala.
Ndërkohë, pas diskutimeve me klubin e tij, Bersant Celina ka kërkuar mirëkuptimin e përzgjedhësit për të mos qenë pjesë e ekipit në këtë ndeshje. Foda e ka pranuar kërkesën e tij me mirëkuptim.
Foda: Duhet të tregojmë nga minuta e parë se e duam fitoren
Përzgjedhësi Franco Foda theksoi se mungesat janë pjesë e futbollit dhe se Kombëtarja e ka dëshmuar edhe më parë se ka alternativa të mjaftueshme për t’i përballuar ato.
“Në futboll gjithmonë ka futbollistë të lënduar dhe kjo nuk përbën ndonjë problem të madh për ne. Edhe gjatë ndeshjeve kualifikuese kemi dëshmuar se kemi qenë në gjendje t’i përballojmë mungesat e lojtarëve”, deklaroi Foda.
Ai bëri të ditur se miqësorja ndaj Andorrës do të jetë një mundësi e mirë edhe për lojtarët me më pak përvojë për t’i prezantuar vlerat e tyre.
“Në ndeshjet miqësore është jashtëzakonisht e rëndësishme që t’u jepet mundësia edhe futbollistëve të tjerë për ta treguar veten. Skuadra duhet që nga minuta e parë të luajë me intensitet të lartë, të jetë agresive në lojën pa top, t’i zbatojë parimet tona në fushë dhe të tregojë se dëshiron me çdo kusht ta fitojë ndeshjen”, shtoi përzgjedhësi.
Foda u shpreh i kënaqur me atmosferën gjatë grumbullimit dhe kërkoi mbështetjen e tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Ka qenë një grumbullim pak më i gjatë për shkak të dy ndeshjeve miqësore, por atmosfera ka mbetur shumë pozitive. Futbollistët patën dy ditë pushim ndërmjet ndeshjeve, gjatë të cilave u rikuperuan dhe grumbulluan energji të reja. Tani duhet t’i mobilizojmë edhe një herë të gjitha forcat, në mënyrë që të zhvillojmë një ndeshje të mirë para publikut tonë. Shpresoj të kemi mbështetjen e një numri të madh të tifozëve”, theksoi ai.
Përzgjedhësi foli edhe për takimin e zhvilluar me talentin e Bayern Munichut, Erblin Osmani, i cili ishte për vizitë në FFK dhe në stërvitjen e Kombëtares.
“Ishte shumë e rëndësishme që të njiheshim personalisht dhe të bisedonim me njëri-tjetrin. Ai pati mundësinë të krijojë një përshtypje më të qartë për kushtet dhe ambientin që kemi këtu”, u shpreh Foda.
Ai theksoi se vendimi për të ardhmen ndërkombëtare i takon vetë futbollistit, por se FFK-ja do të vazhdojë komunikimin me të.
“Në fund, vendimi i takon atij, pasi e ka mundësinë të luajë edhe për një kombëtare tjetër. Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt. Është një futbollist shumë i ri, i cili gjatë muajve të fundit ka pasur një zhvillim të mirë, por fatkeqësisht aktualisht është i lënduar. Mbetet të shihet se çfarë do të sjellë e ardhmja”, shtoi përzgjedhësi.
Vojvoda: Çdo ndeshje me Kosovën ka rëndësi të madhe
Mërgim Vojvoda vlerësoi rëndësinë e çdo grumbullimi dhe ndeshjeje me fanellën e Kosovës, pavarësisht karakterit miqësor të takimit.
“Për mua ka qenë shumë e lehtë të vij, sepse mendoj se të gjitha ndeshjet me Kombëtaren janë shumë të rëndësishme për kohezionin e grupit. Qëllimi është të krijojmë unitetin e nevojshëm për sfidat e ardhshme, si Liga e Kombeve dhe kualifikimet për Kampionatin Evropian 2028. Çdo ndeshje e ka rëndësinë e vet”, deklaroi Vojvoda.
Mbrojtësi i Dardanëve u shpreh i kënaqur edhe me përshtatjen e futbollistëve të rinj në ekip.
“Atmosfera është me të vërtetë shumë e mirë. Lojtarët e rinj janë përshtatur shumë shpejt dhe ky është një sinjal pozitiv. Kur mungojnë disa prej lojtarëve më me përvojë, është një mundësi për të rinjtë që ta tregojnë veten. Në grup ka energji të re, dëshirë për të dhënë më të mirën për Kombëtaren dhe për ta ngritur më tej nivelin e skuadrës”, theksoi ai.
Vojvoda foli gjithashtu për emocionet e përjetuara me klubin dhe Kombëtaren, duke theksuar se arritja e një suksesi të madh me Kosovën mbetet dëshira e tij kryesore.
“Nëse do të duhej të zgjidhja ndërmjet suksesit me klubin dhe atij me Kombëtaren, pa dyshim do ta zgjidhja suksesin me Kosovën. Jam shumë i lumtur që kemi arritur të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve me klubin, por të gjithë kemi qenë shumë të mërzitur pas humbjes së finales në shtëpi kundër Turqisë. Nuk duhet të dorëzohemi, sepse do të kemi mundësi të tjera. Shpresoj që edhe me Kosovën të arrijmë diçka të madhe”, përfundoi Vojvoda.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









