Eliminimi i hershëm i Gjermanisë nga Kupa e Botës 2026 ka sjellë ndryshime të menjëhershme në pankinën e “Pancerave”. Federata Gjermane e Futbollit ka zyrtarizuar largimin e Julian Nagelsmann nga drejtimi i kombëtares, duke i dhënë fund bashkëpunimit pas dështimit në fazën e 1/16-ve.
Trajneri 38-vjeçar mori përgjegjësinë për rezultatin zhgënjyes dhe deklaroi se kombëtarja ka nevojë për një fillim të ri. Në mesazhin e tij të lamtumirës, Nagelsmann falënderoi lojtarët, stafin dhe tifozët për mbështetjen gjatë periudhës që drejtoi ekipin.
Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te pasuesi i tij. Emri më i lakuar është ai i Jürgen Klopp. Sipas mediave gjermane, ish-trajneri i Liverpoolit ka dhënë sinjale se është i gatshëm të marrë drejtimin e kombëtares nëse Federata i paraqet një ofertë zyrtare.
Klopp, i cili aktualisht mban postin e drejtuesit global të futbollit në Red Bull, raportohet se ka një klauzolë në kontratën e tij që i mundëson largimin në rast të një oferte nga kombëtarja gjermane.
Tashmë mbetet të shihet nëse Federata gjermane e futbollit do të arrijë marrëveshjen me një nga trajnerët më të suksesshëm të viteve të fundit, për t’i besuar atij misionin e rikthimit të Gjermanisë në majat e futbollit botëror.








