50-vjeçari Thimjo Rubati, i plagosur pas një atentati mbrëmjen e së premtes në Sarandë, i transportuar mandej në spitalin e Janinës, tashmë ka dalë nga rreziku për jetën.
Burime pranë spitalit të Janinës bëjnë me dije se janë evidentuar në trupin e tij 3 plumba me armë zjarri, dy në afërsi të mëlçisë dhe një në fundshpinë (legen).
Plumbat nuk kanë prekur asnjë organ jetësor dhe pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës ku iu dhanë dy flakonë gjak dhe mjekimit më të specializuar nga kirurgët grekë, gjendja e të plagosurit paraqitet e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë sapo ka zbardhur dita e sotme grupi hetimor ka shkuar sërisht në vendin e ngjarjes dhe në një perimetër të gjerë po mbledh kamera sigurie dhe elementë të tjerë, ndërkohë që njëkohësisht po merren edhe disa persona në pyetje.








