Juventusi mban frymën pezull për gjendjen e Kenan Yildiz. Talenti turk ka pësuar një dëmtim në këmbë, që sipas vlerësimeve të para mund ta mbajë jashtë fushave deri në dy muaj.
Një lajm aspak i mirë për bardhezinjtë dhe për trajnerin Luciano Spalletti, që në krahun e majtë tashmë duhet të bëjë llogaritë me Kerim Alajbegovic dhe Jérémie Boga.
Por dëmtimi i Yildiz mund të ndryshojë edhe planet e Juventusit në merkato. Një nga alternativat që po vlerësohet është Nico Gonzalez. Argjentinasi preferon krahun e djathtë, por mund të luajë edhe në të majtë, duke i ofruar Spallettit një zgjidhje të rëndësishme taktike.
Deri pak ditë më parë, Gonzalez konsiderohej në dalje nga Torino. Për të interesohet prej javësh Atletico Madrid, me Diego Simeonen që kërkon rikthimin e tij pas huazimit të sezonit të kaluar. Por Juventusi dhe klubi madrilen ende nuk kanë gjetur marrëveshjen përfundimtare.
Nëse Yildiz do të mungojë për një periudhë të gjatë, situata mund të ndryshojë ndjeshëm. Spalletti po mendon seriozisht ta mbajë Gonzalez në skuadër, duke parë te argjentinasi një alternativë më shumë për repartin ofensiv.
Një vendim i tillë do të ndikonte drejtpërdrejt edhe te çështja Alexander Sørloth. Norvegjezi ishte një nga objektivat e Juventusit dhe ideja më konkrete ishte një shkëmbim: Gonzalez drejt Madridit dhe Sørloth në Torino.
Por me Nico Gonzalez që mund të qëndrojë në Torino, pista Sørloth komplikohet ndjeshëm. Atletico kërkon shitjen përfundimtare të argjentinasit dhe nuk duket i gatshëm, të paktën për momentin, të pranojë formula të tjera. Pra, gjithçka mbetet e lidhur me një emër: Kenan Yildiz.








