Kombëtarja shqiptare do të nisë një rrugëtim të ri në UEFA Nations League, me kuqezinjtë që do të zhvillojnë katër ndeshjet e para në Grupin 1 të Ligës C gjatë muajve shtator dhe tetor.
Shqipëria do ta nisë këtë aventurë në shtëpi ndaj Bjellorusisë, më 26 shtator, ndërsa më pas do të luajë dy ndeshje në transfertë, më 29 shtator dhe 3 tetor, për t’u rikthyer në “Air Albania” më 6 tetor, ku do të përballet me San Marinon.
Pikërisht për dy përballjet që do të zhvillohen në “Air Albania”, Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se biletat kanë dalë në shitje. Biletat janë të ndara sipas kategorive të përcaktuara për stadiumin “Air Albania”, ndërsa çmimet nisin nga 500 lekë.
FSHF fton të gjithë futbolldashësit dhe tifozët që të jenë të pranishëm në stadium dhe të mbështesin nga afër Kombëtaren shqiptare në këtë rrugëtim të ri në UEFA Nations League.
Mbështetja e tifozëve do të jetë një element i rëndësishëm në sfidat e Shqipërisë, e cila synon të mbyllë grupin në vendin e parë dhe të krijojë një pozicion sa më të favorshëm në rrugëtimin drejt kualifikimit për Kampionatin Europian “EURO 2028”.
FSHF nënvizon se biletat do të shiten vetëm ONLINE në këtë link dhe çdo faqe tjetër është e paautorizuar për të shitur bileta.
Procedura se si blihet bileta online në ebileta.al:
• Fillimisht ju duhet të regjistroheni në platformë duke përdorur një adresë e-mail.
• Më pas, zgjidhni tribunën e stadiumit dhe më pas përzgjidhni ulësen.
• Pasi keni përzgjedhur ulëset, duhet të plotësoni në tabelën dialoguese të dhënat për biletat (mbiemër, emër, e-mail)
Në fund procedoni me pagesën, duke plotësuar të dhënat e kartës tuaj. Pasi të konfirmohet pagesa, bileta do të mbërrijë në adresën e-mail me të cilën jeni regjistruar në platformë.







