Nga Mirela Kumbaro
E diela është ditë pushimi, por edhe ditë reflektimi dhe, për mua, është dita kur më shumë se çdo ditë tjetër kohën dhe mendjen ia kushtoj Qarkut që më dha kaq shumë, që më dha jetë si njeri, por edhe rrugën time si shërbyes publik e politik ❤️
Duke shfletuar sot “fletët” e telefonit, që ta sjellin kujtesën me një klik, m’u shfaq Gjirokastra që kam parë të rrënohej para syve të mi si gjirokastrite e thjeshtë dhe që e gjeta në vitet 2013–2014, kur mora detyrën e Ministres së Kulturës, me shumë nga bukuritë e saj të fshehura pas harresës, rrugë e hapësira që kërkonin kujdes dhe një qytet që kishte nevojë të besonte sërish te vetja.
Gjirokastra që njeh bota sot, që shijojnë vizitorët, që mbledh të rinjtë nga mbarë vendi në festa e aktivitete, që ka rikthyer artizanët dhe duarartët e avllive në jetën ekonomike lokale, është një nga ato dëshmi ku një ëndërr e madhe u kthye në realitet përmes Rilindjes Urbane.
Tani ka nisur një tjetër kapitull, Rilindja 2.0, që shkon përtej Qafës së Pazarit dhe përtej qyteteve Gjirokastër, Libohovë, Përmet e Tepelenë, për të zbritur edhe në zonat rurale, aty ku ka po aq histori, bukuri, njerëz dhe potencial që presin të marrin vëmendjen që meritojnë.
Dhe kjo lidhet natyrshëm edhe me atë që quajmë #BESA: të jesh aty ku njerëzit janë, të dëgjosh çfarë kanë për të thënë, të kuptosh çfarë duhet ndryshuar dhe t’i kthesh angazhimet në punë që duken e ndihen në jetën e përditshme, nga njëri skaj i qarkut në tjetrin. Sepse disa vende nuk të lënë kurrë të largohesh prej tyre dhe Gjirokastra e i gjithë ky qark janë pjesë e asaj që jam dhe e asaj që dua të vazhdoj të bëj për ta ❤️









