Inter nuk fal, “thyen” 0-1 Cagliari-n në transfertë, fut në “xhep” një tjetër 3 pikësh duke “rrëmbyer” menjëherë kreun e Serie A në kuotën e 6 pikëve, po aq sa edhe Milan, Juve e Lazio. Heroi i ekipit zikaltër ishte Calhanoglu, me regjisorin turk që tundi edhe një herë rrjetën, thuajse në të njëjtën formë, me një goditje nga distanca. Goli i shpejtë i Calhanoglu, që në minutën e 9-të, i dha Interit luksin të menaxhonin me qetësi këtë transfertë, por faza ofensive e Chivu-t nuk ishin në mbrëmjen e tyre më të mirë, ku Lautaro dhe Pio Esposito u shërbyen thuajse në çdo formë, por dy sulmuesit nuk ishin të saktë në asnjë moment.
Nuk qëndroi pas në këtë sfidë as Cagliari, me vendasit që bezdisen jo pak Inter, ku Bisseck bëri heroin duke evituar një gol thuajse të sigurt. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Chivun që feston për këtë fitore, por jo plotësisht pasi ekipi i tij tentoi 31 herë portën e Cagliari-t, goditën 7 herë kuadratin, për këtë arsye kjo fitore i rri pak ngushtë.
Pikërisht ky detaj, fakti që shpërdorojnë kaq shumë mori edhe faqen e parë të La Gazzetta dello Sport: “Mjafton Calha, por zikaltërit shpërdorojnë shumë”, shkruan e përditshmja italiane. Edhe trajneri Chivu, në konferencë për shtyp u ndal te kjo pjesë: “Këto janë ndeshje të cilat nëse nuk i mbyll rrezikon të hasësh vështirësi. Keqardhje është pikërisht për këtë, gjithsesi ditëm të vuanin, edhe kjo është e rëndësishme”, u shpreh Chivu.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







