Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka promovuar me gradën “Kryekomisar” ish-shefin e Stacionit të Policisë Roskovec, Mariglen Koroveshaj, për rolin e tij në shpëtimin e 24-vjeçares Rozalinda Plaku, e cila u mbajt peng nga ish-partneri i saj Refit Buzi pasi ai vrau prindërit e saj Kosta dhe Belere Plaku.
Gjatë një takimi me drejtues dhe efektivë të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Hita tha se Koroveshaj tregoi profesionalizëm dhe kurajë në një nga ngjarjet më të rënda kriminale të muajve të fundit.
Ngjarja ndodhi më 24 korrik në fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ku 35-vjeçari Refit Buzi vrau me armë zjarri prindërit e ish-partneres së tij, Kosta dhe Belere Plaka. Më pas ai mori peng 24-vjeçaren Rozalinda Plaka dhe u largua me automjet. Pas rreth dy orësh negociata, Mariglen Koroveshaj arriti ta bindte autorin të lironte të renë, ndërsa pak më vonë Buzi vrau veten.
“E mora këtë vendim pa asnjë hezitim, sepse edhe Marigleni veproi pa hezitim për t’i shpëtuar jetën një vajze, e cila u mor peng nga ish-i dashuri i saj, pasi ai kishte vrarë më parë prindërit e saj. Në një prej situatave më të vështira me të cilat mund të përballet një punonjës policie, ai tregoi profesionalizëm, kurajë dhe përgjegjësi të lartë. Zgjodhi komunikimin dhe negocimin, arriti të krijojë kontakt me autorin, të menaxhojë situatën dhe, mbi të gjitha, të mundësojë shpëtimin e vajzës”, u shpreh Hita.
Nga dita e sotme, Koroveshaj do të marrë detyrë të re në strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.









