Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në një prej hoteleve në zonën e Orikumit, ku një grup prej më shumë se 20 personash, shumica prej tyre të armatosur, dyshohet se kanë shkuar për t’i vendosur gjobë pronarit të hotelit, Vasil Bedinaj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 .Sipas informacioneve paraprake, personat fillimisht kanë kërcënuar me fjalë pronarin e një hoteli, ndërsa më pas kanë përdorur edhe armët, duke i kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh.
“5 milionë euro gjobë ndryshe zhduku nga Shqipëria”, ka thënë Vasil Bedinaj në polici.
Mes palëve ka pasur edhe një konflikt fizik, ndërsa autorët janë larguar nga ambientet e hotelit menjëherë pas ngjarjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur ndjekjen e autorëve. Gjatë ndjekjes, dy persona, që udhëtonin me një automjet, janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.
Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka pësuar dëmtime nga aksidenti.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë shpërndarë në disa zona të qytetit të Vlorës, në përpjekje për të bërë të mundur kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Policia po vijon kontrollet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa informacionet mbeten paraprake.









