Unanimisht, tre gjyqtarët e lartë Sandër Simoni, Valbon Çekrezi dhe Gent Shala e refuzuan kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe shpallën qëndrimin për mbajtjen nën arrest me burg të Erion Veliaj.
E vënë në lëvizje nga Gjykata Kushtetuese që në maj i kërkoi Gjykatës së Lartë të shprehej se përse arresti në burg ishte e vetmja masë që duhet aplikuar ndaj kryebashkiakut dhe nëse ishte apo jo kjo masë proporcionale, gjyqtarët e lartë vlerësuan se për përshtatshmërinë e masës ishte shprehur Gjykata e Apelit.
Ndaj Gjykata deklaroi në dispozitivin e shpërndarë medias se lë në fuqi vendimin e Apelit, datë 13 mars 2025, duke e çmuar se në këtë mënyrë çfarë nuk kishte thënë Gjykata e Lartë në rekurse e kishte shteruar Gjykata e Posaçme e Apelit.
Nga dhoma e këshillimit, ku u mor në shqyrtim dosja penale, Gjykata e Lartë vlerëson se masa është proporcionale dhe, me lënien në fuqi të vendimit të Apelit, argumentet lidhen sërish me rrezikshmërinë e veprave për të cilat Veliaj akuzohet, por edhe rrethana tjetër, ajo e bashkëpunimit më shumë se një herë dhe statusi i tij si funksionar publik. Të paktën këto kritere janë renditur nga Apeli më tepër se një vit më parë.
Megjithatë, me lënien në fuqi të vendimit të Engert Pëllumbit, pritet që Gjykata e Lartë të shtojë argumentet e saj, mes tyre edhe si cënohet mandati i kryetarit të bashkisë me mbajtjen në burg.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Plarent Ndrecës, avokati i Veliajt, i cili e konsideroi vendimin si një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues, jo vetëm për sigurinë juridike, por edhe demokracinë.
Duke lënë në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ky vendim praktikisht ka lënë pa efekt detyrues vendimin e autoritetit më të lartë kushtetues të vendit. Sigurisht, do ta analizojmë me përgjegjësi arsyetimin e plotë.
Por rezultati i shpallur sot ngre një pyetje dramatike: çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Kur një përfundim i tillë nuk gjen shpjegim bindës në Kushtetutë dhe në ligj, atëherë shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit.
Pasojat shkojnë përtej një procesi individual. Ato mbajnë peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë.
Hapi i radhës pritet të jetë sërish Gjykata Kushtetuese, ndërkohë që Veliaj nuk paraqitet në gjykimin e themelit, ku ndaj tij rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrim parash dhe fshehje pasurie, pasi kërkon që të nxirret nga kafazi e të ulet me avokatin përkrah.









