Man.United po përjeton makthe në këtë fillim me sezonin, me “djajtë e kuq” që pas disfatës ndaj City në derbi e shohin vetën në vendin e 13-të me 4 pikë në 4 javët e para në Premier League. Si të mos mjaftojë ky start negativ, tani ekipi i Carrick “lan duart” me Carabao Cup që në fazën e 1/16. Ndaj Brighton, në “Old Trafford”, Man.United krijoi iluzionin se do ta zgjidhin lehtë këtë sfidë ku realizuan dy gola të shpejtë brenda 10 minutash.
Brighton jo vetëm që nuk u dorëzua, por në limitet e pjesës së parë ngushtuan shifrat në 2-1. Me fillimin e pjesës së dytë, Gross bëri që në stadium të pllakoste heshtjen teksa barazoi shifrat në 2-2. Brighton nuk u mjaftua me kaq, por në minutën e 69-të De Cuyper kompletoi përmbysjen e madhe duke nxjerr Man.United nga Carabao Cup.
Pas ndeshjes, Michael Carrick, u shfaq i shqetësuar për këtë humbje, ndërsa mori përsipër edhe faturën: “Si grup, nuk mund ta pranojmë një paraqitje të tillë. Marr përsipër të gjithë përgjegjësinë për atë që ndodhi në pjesën e dytë. Tani jemi jashtë kësaj kupe, por duhet të reagojmë menjëherë, të rikthehemi te fitorja që në sfidën e radhës, të dielën ndaj Fulham”, u shpreh Carrick. Kalojnë më tej në Carabao Cup, Aston Villa dhe Everton.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb






