Trajneri Rolando Maran shpall listën për katër ndeshjet e UEFA Nations League, dy debutues dhe rikthime në skuadër Kombëtarja shqiptare do të nisë rrugëtimin e saj të ri në kompeticionin UEFA Nations League, me katër ndeshjet e para ndaj Bjellorusisë, Finlandës dhe San Marinos, me të cilën do të përballet në dy takime.
Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, ka publikuar listën me 29 lojtarët e grumbulluar për këto sfida. Në listë bëjnë pjesë edhe dy emra që marrin ftesën e parë me Kombëtaren, mesfushori i Hearts, Sabah Kerjota dhe mbrojtësi i Union Brescia, Samuele Sina.
Ndërkohë, në skuadër rikthehen pas mungesave për shkak të dëmtimeve Rey Manaj, Ernest Muçi dhe Marash Kumbulla. Në listë është edhe portieri Etrit Berisha, i cili rikthehet të jetë pjesë e grupit të Kombëtares.
Më poshtë lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar:
Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani dhe Simon Simoni.
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu.
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Arbër Hoxha, Taulant Seferi, Anis Mehmeti, Ernest Muçi dhe Sabah Kerjota.
Sulmues: Rey Manaj, Mirlind Daku, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi.
Kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht grumbullimin ditën e hënë, më 21 shtator, ku do të stërvitet në “Shtëpinë e Futbollit”. Biletat për dy ndeshjet ndaj Bjellorusisë dhe San Marinos mund t’i blini online në ebileta.al, si edhe në pikën fizike pranë stadiumit “Air Albania”.








