Fransua Dulis është një nga futbollistët e Vllaznisë që ka marrë më shumë kritika në startin e këtij edicioni. Mbrojtësi shtatlartë, i afruar gjatë merkatos së verës pas eksperiencës në Izrael, nuk ka bindur deri tani me paraqitjet e tij me fanellën kuqeblu, duke bërë që afrimi i tij të shihet me dyshim nga një pjesë e opinionit sportiv shkodran.
Paraqitjet e tij në javët e para të kampionatit kanë qenë larg pritshmërive. Në një skuadër që ka pësuar 10 gola në pesë javët e para të Superiores, edhe reparti defensiv është vendosur nën lupë, ndërsa Dulys është një prej lojtarëve që ka pasur më shumë vëmendje për mënyrën e paraqitjes së tij. Megjithatë, mbrojtësi haitian ka një tjetër mundësi për të treguar cilësitë që e kanë sjellë në Shkodër. Dulis është pjesë e Kombëtares së Haitit dhe së fundmi ka qenë protagonist në fitoren 2-0 ndaj Kosta Rikës, duke marrë një tjetër eksperiencë të rëndësishme ndërkombëtare.
Në këtë takim, shtatlarti i Vllaznisë luajti rreth 24 minuta, duke u aktivizuar në pjesën e dytë të sfidës. Gjatë minutave që qëndroi në fushë, Dulys arriti të paraqitej në një nivel të mirë, duke treguar më shumë siguri dhe duke justifikuar përfshirjen e tij në përfaqësuesen haitiane. Kjo paraqitje me Haitin mund të jetë një sinjal pozitiv edhe për Vllazninë.
Mbrojtësi ka tashmë mundësinë të rikthehet në Shkodër me një tjetër dozë besimi, ndërsa stafi teknik pret që ai të përshtatë me fanellën kuqeblu ato cilësi që ka shfaqur në nivel ndërkombëtar. Në një moment kur Vllaznia ka nevojë për më shumë stabilitet në prapavijë, Dulis do të kërkojë të ndryshojë edhe perceptimin e krijuar gjatë javëve të para. Paraqitja me Haitin është një pikënisje, ndërsa tashmë mbetet për t’u parë nëse ai do të arrijë t’i shfaqë këto vlera edhe në kampionatin shqiptar dhe të kthehet në një alternativë të rëndësishme për mbrojtjen kuqeblu.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








