4 pikë në 3 ndeshje i rrinë ngushtë Kosovës, me ekipin e Franco Foda-s që ngec sërish, këtë herë në një “X” pa gola në transfertë përballë Izraelit. Sigurisht, kjo pikë nuk është për t’u hedhur poshtë, por dukshëm “dardanët” nuk janë më në nivelin e pak kohëve më parë kur shkuan deri në finalen e fazës “play-off” në kualifikuesit e Botërorit. Kjo ishte një transfertë që nisi keq për Fodën, me teknikun që humbi në momentet e fundit shërbimet e “bomberit” kryesor të ekipit, Vedat Muriqi.
Izreali ishte superior në fraksionin e parë ku portieri Saipi bëri diferencën në të paktën dy raste të pastra për gol. Në fraksionin e dytë, Foda ndërhyri në formacion duke kryer 3 zëvendësime të menjëhershme, tentoi më pas edhe kartën Zhegrova, por pa sukses, ku sërish lojtari më i mirë ishte portieri Saipi. Pas këtij “X”, Kosova e sheh veten në vendin e dytë në kuotën e 4 pikëve.
Pas ndeshjes, trajneri Foda kapet pas pikës së marrë, ndërsa ritheksion se objektivi i Kosovës është kualifikimi për në “Euro2028”: “E kam thënë prej kohësh, objektivi është të kualifikohemi në Evropian. Jemi në Nations League, për këtë arsye kam vendosur të prezantoj fytyra të reja. Ishte një ndeshje e fortë kundër një ekipi të teknik, duhet të jemi të kënaqur me këtë barazim”, u shpreh Foda.
Nuk kishte fitues as në sfidën tjetër të këtij grupi, me Austrinë dhe Irlandën që ndanë nga një pikë pas barazimit 2-2. Me 7 pikë në 3 ndeshje, Austria kryeson Grupin e 3 në Ligën B.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







