Në fjalën e saj në seancën plenare të Kuvendit, ministrja e Arsimit dhe drejtuesja politike për qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, u ndal te lidhja e saj e hershme dhe shpirtërore me Libohovën. Ajo solli në vëmendje sfidat e njohjes gjeografike dhe kulturore të qytetit të saj ndër vite, duke argumentuar se identiteti nuk mbrohet përmes izolimit administrativ, por nëpërmjet zhvillimit të prekshëm ekonomik.
“Në dekada nuk më është ndarë frustrimi nga mosnjohja gjeografike e Libohovës dhe më duhej të shpjegoja se ku ndodhet Libohova — qyteti im i dashur, vendlindja e tim eti dhe e shumë brezave të familjes time. Më duhej mbi të gjitha të shpjegoja se Libohova është vend i njerëzve të ditur e të shëtitur,” u shpreh Kumbaro.
Ajo theksoi se pavarësisht se zona ka nxjerrë figura dhe drejtues të rëndësishëm ndër vite, statusi i dikurshëm administrativ nuk solli investimet e nevojshme për t’i dhënë zgjidhje problemeve të komunitetit.
“Për ta nxjerrë Libohovën time nga hija e mosdijes kolektive, por sidomos për ta nxjerrë nga izolimi total ekonomik, zhvillimor e institucional, statusi administrativ bashki nuk na kishte ndihmuar asnjëherë,” shtoi ajo.
Duke iu referuar ndryshimeve të ndodhura pas vitit 2015 nën kujdesin e qeverisjes qendrore dhe programeve të Rilindjes Urbane, ministrja nënvizoi se vëmendja ndaj infrastrukturës, trashëgimisë kulturore dhe bujqësisë e ka kthyer Libohovën në një destinacion të rëndësishëm turistik.
“Duhet të vinte kjo mazhorancë në qeverisje që në vitin 2015, me programin e Rilindjes Urbane transformoi jo vetëm Gjirokastrën, por i ndryshoi faqen Libohovës, duke i ruajtur identitetin e traditën, por duke ndërtuar e rindërtuar hapësirat publike. Sot Libohova nuk është vendi i mungesave, është vendi i mundësive,” deklaroi Kumbaro.
Ajo vuri theksin te lidhjet e ngushta ekonomike dhe njerëzore që shtrihen përtej kufijve të ngushtë administrativë, duke përmendur bujqësinë, agroturizmin dhe lëvizjen e fuqisë punëtore mes Libohovës, Dropullit, Gjirokastrës, Zagorisë dhe Përmetit.
“Bujqit e Nepravishtës punojnë përveç tokave të tyre edhe thuajse të gjitha tokat e Dropullit. Për këtë marrëdhënie pa kufij dhe për bashkëveprimin ekonomik, Bashkia Libohovë sapo ka përfituar nga qeveria një grant prej 261 milionë lekësh për rehabilitimin e sistemit të vaditjes. Dhe është zhvillimi ekonomik ai që na e ruan më mirë identitetin,” u shpreh ajo.
Garancia për shërbimet dhe e ardhmja e qytetit
Në mbyllje të fjalës së saj, Kumbaro u adresua drejtpërdrejt banorëve dhe drejtuesve lokalë, duke adresuar emocionet dhe shqetësimet e natyrshme që shoqërojnë çdo proces ndryshimi apo riorganizimi territorial. Ajo garantoi se identiteti dhe përfaqësimi i Libohovës jo vetëm që nuk do të cenohen, por do të forcohen përmes bashkimit të burimeve dhe kapaciteteve.
“Me garancinë absolute që Libohova mbetet qytet, falë zhvillimit që mbron identitetin. Nuk ndryshojnë shërbimet, përkundrazi ato zgjerohen, me përfaqësimin e vet dinjitoz në Këshillin Bashkiak dhe me kryetarin e qytetit të vet të Libohovës — që ka qenë, është dhe do të jetë!” përfundoi Kumbaro.









