Shqipëria do të kthehet në nëntor ku do të vendoset fati i saj në grupin C1 të Ligës së Kombeve. Çdo pozicion tjetër përveç vendit të parë shikohet si dështim i madh. E rrallë është se te sfida e radhës me Finlandën, barazimi dhe fitorja kanë të njëjtën vlerë.
Sfida e parë do të jetë me Finlandën në “Air Albania” dhe më pas me Bjellorusinë në transfertë. Në raportimin e mëparshëm, “Panorama Sport” tregoi se një humbje në këto dy ndeshje hedh poshtë të gjithë edicionin në Ligën e Kombeve.
Për Shqipërinë është njësoj, si të barazojë dhe të fitojë ndaj Finlandës. Po ashtu e njëjta gjë mund të thuhet edhe ndaj Bjellorusisë. Humbja është i vetmi rezultat që duhet shmangur në të dyja ndeshjet, pasi rrjedhimisht bën që të humbasim vendin e parë. Finlanda është ekipi të cilit i bën punë vetëm fitorja më 12 nëntor në “Air Albania”.
Nëse Shqipëria përfundon me pikë të barabarta me Finlandën dhe Bjellorusinë, atëherë kuqezinjtë e mbyllin si vend i parë për shkak të golavarazhit në përballjet direkte. Fitorja 2 me 0 ndaj Bjellorusisë në “Air Albania” rezulton se ishte vendimtare.
SAN MARINO- Llogaritë më sipër janë të tilla, duke qenë se Finlanda dhe Bjellorusia kanë nga një ndeshje të mbetur me San Marinon. Aty ku fitorja nuk diskutohet për ta. Ky është pikërisht skenari i rrallë.
AXHENDA
12/11 Shqipëri-Finlandë ora 20:45
12/11 San Marino-Bjellorusi ora 20:45
15/11 Bjellorusi-Shqipëri ora 18:00
15/11 Finlandë-San Marino ora 18:00
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









