Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar ndaj episodeve të dhunës gjatë protestës përballë Ministrisë së Arsimit, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimin e pronës publike. Koçiu e cilëson të trishtë degradimin e kulturës së protestës në dhunë, duke ironizuar edhe pretendimin se kjo dhunë është “provokuar” nga pllakat e trotuareve.
“Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje”, shprehet zv.kryeministrja, duke theksuar se hedhja e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe dëmtimi i pronës publike, nuk përfaqësojnë mënyrën se si duhet të shprehet rinia. Sipas Koçiut, përdorimi i të rinjve në akte të tilla shërben për të mbuluar, siç shprehet ajo, paaftësinë politike të atyre që qëndrojnë pas tyre.
”E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe me sa duket, të “provokuar” rëndë nga pllakat e trotuareve. Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”,-shkruan Koçiu.









