Ka figura që arrijnë të tërheqin vëmendjen e të gjithëve sa herë që hapin gojën. Një prej tyre është Ralf Shumaker, i njohur për lehtësinë me të cilën bën deklarata të debatueshme, edhe pse gjatë karrierës së tij në Formula 1 regjistroi vetëm gjashtë fitore. Ish-piloti i Xhordanit, Uilliamsit dhe Tojotas ka vënë sërish në shënjestër Fernando Alonson, një prej objektivave të tij të zakonshëm, si dhe Luis Hamiltonin, duke i cilësuar të dy si veteranët më të spikatur të garës në Formula 1.
Gjatë një prononcimi për edicionin gjerman të “Sky”, ku ai punon si analist në F1, Ralf Shumaker sugjeroi hapur se Alonso dhe Hamilton duhet t’u lënë vendin pilotëve të rinj në kategorinë më të lartë të automobilizmit.
“Në Formula 1 kemi Hylkenbergun, që po i afrohet moshës 40-vjeçare, Hamiltonin që i ka kaluar të 40-at dhe Alonson po ashtu. Është e mrekullueshme që pilotët mund të garojnë për kaq shumë vite, por kjo më duket e padrejtë ndaj brezit të ardhshëm”, deklaroi gjermani. Sipas tij, kjo çështje është thelbësore për t’u krijuar hapësirë talenteve të rinj. Si shembull, ai përmendi Kimi Antonelin, i cili mund të shpallet kampion në Ostin.
“Kur e nisën karrierën Antoneli apo Vershtapeni? Nëse e analizojmë mirë situatën, nëse pilotët vazhdojnë të garojnë deri në moshën 45-vjeçare, praktikisht do të na duhej ta mbyllnim Formulën 2. Nuk ka hapësirë për të rinjtë dhe duhet të jemi të kujdesshëm me këtë”, theksoi Shumaker. Megjithatë, reflektimi i vëllait më të vogël të familjes Shumaker nuk duket se lidhet drejtpërdrejt me rastin e vëllait të tij, Mikaelit.
Shtatë herë kampioni i botës u rikthye në Formula 1 në vitin 2010, në moshën 41-vjeçare, si pilot i Mercedesit. Por Ralf e drejton vëmendjen veçanërisht te Fernando Alonso. “Nuk kam asgjë kundër tij, por qëllimi i Formula 1 nuk mund të jetë që pilotët të jenë gjithnjë e më të moshuar”, u shpreh ai. Sa i përket vëllait të tij, legjendës së Ferrarit, Ralf ka një tjetër këndvështrim për rrugëtimin që e çoi Mikaelin drejt një rekordi historik prej shtatë titujsh botërorë, të cilin askush nuk ka arritur ta tejkalojë.
“Dikur gjërat nuk funksiononin kështu. Kur Mikael Shumaker hyri në Formula 1, ai tregoi se çfarë mund të arrihet përmes kombinimit të përgatitjes fizike dhe rinisë. Ai e ndryshoi mënyrën e stërvitjes dhe, për të qenë të drejtë, kjo ndodhi falë tij”, përfundoi Ralf. Për një kohë të gjatë, askush nuk arriti ta kërcënonte seriozisht dominimin e Mikael Shumakerit, me përjashtim të Mika Hakinenit në disa sezone.
Kjo epërsi mori fund në vitet 2005 dhe 2006, kur Fernando Alonso dhe Renaulti arritën të rrëzonin nga froni kampionin gjerman. Si zakonisht, Ralf Shumaker nuk lë askënd indiferent me deklaratat e tij. Analisti gjerman nuk ngurron të shprehë mendime të forta dhe vazhdon të jetë një zë i dëgjuar në bokset e Formulës 1. Ndërkohë, Fernando Alonso dhe Luis Hamilton mbeten ndër objektivat e tij të preferuar për kritika, garë pas gare.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









