2 trajnerë në 9 javë, por 0 efekt. Partizani “zhytet” gjithnjë e më shumë në fundin e ftohtë duke e bërë situatën me të vërtetë dramatike. Përtej detajeve dhe episodeve të kontestuara fuqishëm në sfidën ndaj Elbasanit, shifrat e “demave” janë më të vërtetë shqetësuese. Pas përfundimit të fazës së parë është koha për të bërë një bilanc të shpejtë, është koha për të reflektuar pasi është e qartë se nuk është çështje trajneri.
Me 3 humbje në 3 ndeshje në krye të Partizanit, edhe Mislav Karoglan vërtetoi se nuk ka “shkop magjik”, edhe pse në letër, duke iu referuar CV së tij, dukej si shpëtimtari i shumë pritur.
Në 9 ndeshje, në përfundim të fazës së parë, Partizani mbyll tabelën e klasifikimit me 4 pikë. Me vetëm 1 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje, të kuqtë janë aktualisht jo vetëm ekipi më i dobët në “Abissnet Superiore”, por janë dhe kandidati kryesor për të zbritur një kategori më poshtë, të paktën duke iu referuar shifrave dhe situatës aktuale.
Te Partizani nuk funksionon thuajse asgjë. Në 9 ndeshje kanë shënuar 10 gola, sulmi i dytë më i dobët pas Laçit, por kurbinasit kanë qenë efikas pasi kanë 7 pikë më shumë. Sulmi nuk duket problemi më i madh pasi në të njëjtat shifra janë edhe ekipe si Vllaznia, Skënderbeu dhe Vora. Problemi më i madh i Partizanit është mbrojtja, në një kohë kur në 9 ndeshje kanë pësuar plot 21 gola, mbrojtja më e dobët e këtij sezoni.
Këto shifra, edhe kjo ecuri në këtë fazë të parë, shqetësojnë pafund stafin drejtuesit dhe mbi të gjitha tifozët e kuq të cilët kanë filluar të shohin makthet e së kaluarës.







