Dy shtetas shqiptarë, të dy 51 vjeç, janë arrestuar nga policia gjermane në Ratingen-Hösel, pasi dyshohet se tentuan të hynin me forcë në një banesë private. Operacioni për identifikimin e tyre përfshiu patrulla policore, një helikopter dhe një qen të trajnuar.
Sipas njoftimit zyrtar sotx të policisë së Mettmannit, ngjarja ndodhi të mërkurën, më 28 tetor, rreth orës 18:45, në rrugën Eggerscheidter Straße.
Një banor 72-vjeçar dëgjoi një zhurmë të fortë pranë shtëpisë së tij. Kur kontrolloi oborrin, ai vuri re dy burra që, sipas policisë, po përpiqeshin të hapnin me forcë derën e tarracës. Dy personat u larguan nga pjesa e pasme e kopshtit, ndërsa pronari njoftoi policinë.
Autoritetet nisën një operacion kërkimi në zonë, me mbështetjen e një helikopteri. Falë informacioneve të banorëve, dy të dyshuarit u lokalizuan në kopshtin e një tjetër banese, në rrugën Wiesengrund, dhe u ndaluan pa rezistencë.
Ndërkohë, një banore në Bruchhauser Straße njoftoi një tjetër tentativë vjedhjeje. Policia po heton nëse dy personat e arrestuar kanë lidhje edhe me këtë incident.
Pas veprimeve të para hetimore, njëri nga shqiptarët u lirua nga ndalimi me urdhër të prokurorisë. Tjetri u dërgua para gjyqtarit për shkak të një urdhërarresti që ekzistonte më parë ndaj tij.









