Ismail “Ballist” Morina ka zhvilluar një vizitë në spital në qytetin e Romës për të qenë pranë Erjon Vishkullit, të riut nga Kukësi i cili po i nënshtrohet trajtimit mjekësor pas dëmtimit të rëndë në sy gjatë përplasjeve në protestën e fundit të zhvilluar para Kryeministrisë në Tiranë.
Morina, i njohur gjerësisht për ngritjen e dronit me simbole kombëtare gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd më 14 tetor 2014, ka ndarë pamjet dhe detajet e këtij takimi në rrjetet sociale, duke i dhuruar të riut një fanellë me motivin e flamurit “Autochthonous”.
Bashkë me dhuratën simbolike, ai i ka lënë një dedikim me mesazh mbështetës: “Për autoktonin Erjon Vishkulli. Rroftë shpirti i shqiptarit. Përshëndetje fitores, Zoti është shqiptar”.
Erjon Vishkulli u transportua me urgjencë drejt Italisë pak ditë më parë, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të vështirë për shkak të dëmtimit të rëndë okular. Sipas informacioneve mjekësore, ndërhyrja ka qenë e suksesshme duke bërë të mundur shpëtimin e syrit, ndërsa tashmë ai ka nisur procesin e gjatë të rikuperimit dhe përmirësimit të shikimit.










