Interi kërkon të lërë pas sa më shpejt humbjen në derbin ndaj Milanit, teksa përpara ka një transfertë të rëndësishme në Champions League kundër Feyenoordit. Zikaltrit do të zbresin në fushë të martën në orën 21:00 në Roterdam, me objektivin për t’u rikthyer te fitorja dhe për të vazhduar garën drejt fazës play-off.
Për duelin me holandezët, trajneri pritet të rikthehet te skema me dy sulmues, me Marcus Thuramin dhe Pio Espositon në repartin ofensiv, ndërsa Lautaro Martinez mbetet sërish jashtë për shkak dëmtimi, me kapitenin që do të rikthehet menjëherë pas pauzës së kampionatit. Në mbrojtje, mungesa e Bastonit për shkak pezullimi pritet të kompensohet nga Bisseck, Akanji dhe Carlos Augusto. Ndërkohë, në mesfushë pritet të ketë hapësira për Zielinskin, Barellën dhe Mkhitaryanin.
Megjithatë, humbja në derbi ka rikthyer në vëmendje edhe nevojën e Interit për një tjetër alternativë në sulm. Vetë Chivu ka pranuar se klubi do të bëjë disa reflektime për këtë çështje, veçanërisht pas problemeve fizike të sulmuesve në ndeshjet e fundit.
Në këtë situatë, në skenë është rikthyer emri i Mauro Icardit. Sulmuesi argjentinas nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer në Milano, duke pranuar se do të dëshironte të mbyllte në një mënyrë tjetër aventurën e tij me fanellën zikaltër. Në listën e alternativave përmenden gjithashtu Varela dhe Robinson të Monzës, talenti 19-vjeçar Paul Mendy i Cagliarit, si dhe Federico Chiesa, i cili po has vështirësi për të gjetur hapësira te Liverpooli.
Për momentin nuk ka zhvillime konkrete, por drejtuesit e Interit pritet të vlerësojnë mundësinë e përforcimit të repartit ofensiv, ndërsa Chivu kërkon fillimisht një reagim të menjëhershëm nga skuadra në arenën europiane.







