Komisioni Europian ka paraqitur një udhërrëfyes për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë gjatë vitit 2027, duke përcaktuar një kalendar orientues për mbylljen e 31 kapitujve të mbetur. Dokumenti parashikon që kapitujt të mbyllen në mënyrë të përkohshme në disa faza, me synimin që Shqipëria të arrijë objektivin e shpallur nga autoritetet shqiptare për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Sipas dokumentit, në pjesën e mbetur të vitit 2026 dhe gjatë vitit 2027 do të ndiqet një kalendar me përparësi të ndara në tri faza. Deri në fund të vitit 2026 parashikohet mbyllja e kapitujve që lidhen me pronësinë intelektuale, politikën ekonomike dhe monetare, të drejtën e shoqërive tregtare, peshkimin dhe akuakulturën, rrjetet transeuropiane, si dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Në gjysmën e parë të vitit 2027, lista përfshin 10 kapituj, mes tyre prokurimin publik, lëvizjen e lirë të kapitalit, transformimin digjital dhe median, bashkimin doganor, politikën e transportit, shërbimet financiare dhe mbrojtjen e konsumatorit e të shëndetit.
Ndërsa në gjysmën e dytë të vitit 2027 parashikohet mbyllja e kapitujve që lidhen me lëvizjen e lirë të punëtorëve, konkurrencën, bujqësinë, taksimin, lëvizjen e lirë të mallrave, energjinë, mjedisin dhe ndryshimet klimatike, gjyqësorin dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, si dhe çështje të tjera. Në fund do të mbyllet grupkapitulli i parë, që përfshin bazat e procesit të anëtarësimit.
Komisioni thekson se ky kalendar është orientues dhe nuk garanton përfundimin e negociatave brenda afateve të përcaktuara. Ecuria do të varet nga përmbushja e kritereve të anëtarësimit, realizimi i reformave dhe plotësimi i standardeve për mbylljen e secilit kapitull. Grupkapitulli i bazave do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave dhe do të mbyllet i fundit.
Dokumenti parashikon gjithashtu që, nëse Shqipëria shënon përparimin e nevojshëm, Komisioni Europian të paraqesë një komunikatë për paketën financiare të anëtarësimit. Po ashtu, Komisioni rekomandon që Këshilli të nisë gjatë vitit 2027 përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Shqipërisë.
Një tjetër element është integrimi gradual i Shqipërisë në politikat, programet dhe strukturat e Bashkimit Europian përpara anëtarësimit. Dialogu për këtë proces pritet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2027, me synimin për të zgjeruar bashkëpunimin në tregun e përbashkët, energji, transport, digjitalizim, siguri dhe mbrojtje.
Komisioni Europian nënvizon se do të monitorojë nga afër përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës dhe grupkapitullit të bazave, duke raportuar rregullisht për ecurinë te Këshilli.









