Një shpërthim vullkanik shkatërrues, një ujë me ngjyrë blu të jashtëzakonshme dhe një trung peme që qëndron vertikalisht në sipërfaqe prej më shumë se një shekulli. Liqeni i Kraterit në Oregon të SHBA-së është një prej mrekullive natyrore më të veçanta në botë. I vendosur në shtetin e Oregonit, në perëndim të Shteteve të Bashkuara, Liqeni i Kraterit u krijua rreth 7,700 vjet më parë, pas një shpërthimi masiv të malit vullkanik Mazama, pjesë e vargmalit Cascade.
Shpërthimi shkaktoi çlirimin e sasive të mëdha të magmës nga nëntoka, duke dobësuar strukturën e malit dhe duke sjellë shembjen e majës së tij. Në vend të saj u krijua një kalderë gjigante, me diametër rreth 8 deri në 10 kilometra, e cila me kalimin e kohës u mbush nga reshjet e shiut dhe shkrirja e dëborës. Kështu lindi liqeni që njihet sot për bukurinë e tij të jashtëzakonshme. Me një thellësi maksimale prej 594 metrash, ai mban rekordin si liqeni më i thellë në Shtetet e Bashkuara.
Ngjyra blu dhe trungu misterioz që sfidon kohën
Një nga karakteristikat që e bëjnë këtë liqen të veçantë është ngjyra e tij intensive blu. Kjo lidhet me pastërtinë e jashtëzakonshme të ujit dhe thellësinë e madhe. Liqeni nuk furnizohet nga lumenj apo përrenj, por kryesisht nga shiu dhe bora, çka kufizon prurjen e sedimenteve dhe ndotësve. Kur rrezet e diellit depërtojnë në ujë, pjesa më e madhe e ngjyrave të tjera absorbohet, ndërsa drita blu shpërndahet përsëri drejt sipërfaqes, duke krijuar pamjen karakteristike të liqenit. Por një tjetër mister që tërheq vëmendjen e vizitorëve është i ashtuquajturi “Plaku i Liqenit”. Bëhet fjalë për një trung peme halore, rreth nëntë metra të gjatë, që lundron në pozicion pothuajse vertikal. Vetëm një pjesë e vogël e tij, rreth një metër, duket mbi sipërfaqen e ujit.
Ky fenomen është dokumentuar që në vitin 1896 nga gjeologu Joseph Diller. Analizat me radiokarbon kanë treguar se trungu është më shumë se 450 vjeç, ndërsa mënyra se si arrin të ruajë ekuilibrin dhe pozicionin e pazakontë mbetet objekt kurioziteti. Një nga shpjegimet e mundshme lidhet me qëndrimin e gjatë të pjesës së poshtme në ujërat e ftohta, gjë që mund të ketë ndikuar në dendësinë dhe aftësinë e tij për të qëndruar në këtë pozicion.
Ishulli vullkanik në mes të liqenit
Një tjetër atraksion është Ishulli i Magjistarit (Wizard Island), një formacion vullkanik që ngrihet mbi ujërat e kristalta. Ai u krijua nga shpërthime të mëvonshme, pas formimit të kalderës, dhe maja e tij arrin rreth 230 metra mbi sipërfaqen e liqenit. Zona ka gjithashtu një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore për fisin indigjen Klamath, i cili e konsideronte liqenin një vend të shenjtë. Sipas një prej legjendave të tyre, shkatërrimi i malit lidhej me një përplasje mes dy fuqive, një rrëfim që ndër vite është lidhur me ngjarjen e vërtetë vullkanike. Që prej vitit 1902, Liqeni i Kraterit është pjesë e një parku kombëtar dhe sot vizitohet nga mijëra turistë, të cilët tërhiqen nga peizazhet spektakolare, shtigjet malore dhe mundësitë për të eksploruar ujërat e tij.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









