Juglindorët janë në përpjekje për të forcuar sa më parë mesfushën dhe sulmin dhe sot në Antalia drejtuesit e ekipit presin një lojtar të ri. Në radhët e korçarëve ka çdo ditë lëvizje futbollistësh. Grupi është i madh, por sërish priten të tjera afrime, sepse, siç e ka deklaruar edhe vetë trajneri Ilir Daja, duhet të përforcohen mesfusha dhe sulmi, veçanërisht reparti i avancuar. Klubi korçar ka marrë Kristal Abazajn dhe Dejvi Bregun, por të dy këta lojtarë nuk llogariten për këtë kampionat, pas marrëveshjes me Luftëtarin që ata të qëndrojnë në Gjirokastër deri në fund të sezonit. Ka ardhur sulmuesi Blerim Krasniqi dhe janë testuar disa lojtarë të rinj, por të gjithë në Korçë presin të mësojnë cila do të jetë goditja e madhe e Skënderbeut për sulmin. Drejtuesit e klubit bardhekuq po ndjekin disa pista për të gjetur lojtarin më të përshtatshëm për të qenë alternativa e Souesë. Emra konkretë nuk ka, por shumë shpejt kjo lëvizje duhet të konkretizohet, sepse lojtari apo lojtarët e rinj duhet të përshtaten me ekipin në ndeshjet miqësore që do të zhvillohen në fazën përgatitore të Turqisë.
SURPRIZA Nga momenti në moment në kampin e Turqisë priten lojtarë të rinj, por dje burime të Sport Ekspres kanë bërë të ditur se sot mund të ketë lëvizje konkrete. Nuk është përmendur asnjë emër, por sigurisht që lojtari i ri do të jetë për llogari të mesfushës apo sulmit. Gjatë kësaj periudhe korçarët do të provojnë edhe shumë lojtarë të rinj, të cilët mund të afrohen në ekip për të ardhmen, nëse tregojnë se kanë talent, por ky grup lojtarësh është jashtë merkatos së madhe. Drejtuesit e kanë thënë qartë se çdo lojtar i larguar do të zëvendësohet dhe deri tani, nëse i referohemi këtij parimi, nuk ka ardhur ende zëvendësuesi i Donjet Shkodrës. Skënderbeu po ashtu mund të shesë ndonjë lojtar në ndonjë kampionat të huaj, kështu që duhet ti paraprijë merkatos. Pritet gjithashtu të huazojë ndonjë lojtar në skuadra të tjera të Superiores për të pasur më shumë hapësira, siç është rasti i Gripshit, Lulajt dhe Abazit, edhe pse deri tani asgjë nuk është zyrtare. Me interes do të ndiqen këto ditë nga tifozët korçarë, të cilët janë larg ekipit dhe duan të mësojnë se çfarë surprizash do tu dhurojë merkatoja e dimrit. Skënderbeut nuk ka nevojë për shumë lëvizje, pasi përgjithësisht grupi është i kompletuar. Ajo që tërheq më shumë vëmendjen është se cili do të jetë sulmuesi i shumë përfolur.