Përfaqësuesja e Finlandës ndodhet në Tiranë prej ditës së hënë. Dje ndërkohë zhvilloi stërvitjen e parë, por në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Nga ana e finlandezëve kishte kritika për fushën e Tiranës. Konkretisht ishte mesfushori Natan Skyta i cili foli, teksa kujtojmë se është një nga rikthimet e Finlandës në listë. Ky i fundit vlerësoi faktin që të gjitha biletat janë shitur.
“Është kënaqësi të jem sërish pjesë e kombëtares. Mendoj se sot(dje) zhvilluam një stërvitje të mirë. Sigurisht, disa prej lojtarëve e ndienin pak lodhjen pas ndeshjeve të fundjavës, ndërsa edhe fusha nuk ishte në gjendjen më të mirë. Megjithatë, të gjithë ishin në humor të mirë.
Është gjithmonë bukur të luash në një stadium të mbushur plot. Nuk ka rëndësi nëse luan në shtëpi apo në transfertë, megjithëse sigurisht që në shtëpi është edhe më mirë. Ndoshta kjo i jep ndeshjes një nuancë të veçantë.
Besoj se do të ketë shumë duele dhe një lojë me ritëm të lartë. Ne duhet të jemi gati që në minutat e para. Shqipëria me siguri do të përpiqet ta nisë ndeshjen me shumë energji, për të fituar mbështetjen e tifozëve. Duhet të jemi të përgatitur për këtë dhe të dimë t’i përgjigjemi”, u shpreh Skyta.
Finlanda mbylli sot përgatitjet në “Air Albania”. Sfida e 12 nëntorit do të luhet pikërisht aty, prej orës 20:45 dhe vlen për raundin e pestë të Ligës së Kombeve. Shqipërisë i bën punë punë edhe barazimi, ndërsa Finlandës vetëm fitorja.








