Partia Socialiste do të konkurrojë në zgjedhjet e 9 majit 2027 me objektivin e fitores së të gjitha bashkive. Gjate fjalës së tij në Asamblenë Socialiste Taulant Balla theksoi rëndësinë e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkie. Sipas tij ata duhet të vlerësohen jo vetëm në funksion të zgjedhjeve të vitit 2027, por edhe të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2029.
“Duhet t’i shohim kandidatët për kryetarë bashkie në 2027, në funksion të fitores së zgjedhjeve edhe në 2029. Kryetarët e bashkive duhet të jetojnë 24 orë në komunitetet përkatëse, jo ta drejtojnë bashkinë nga Tirana. Të bëjmë një proces të mirë përzgjedhës për Tiranën dhe të kandidojmë atë që na maksimizon rezultatin. Na duhet të merremi edhe me betejën digjitale, për këtë na duhet të kemi një organizim më të mirë. Partia Socialiste konkurron me objektivin e fitores së 46 bashkive”, tha Balla.
Kujtojmë se me ndarjen e re territoriale shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme do t’i drejtohen kutive të votimit për 46 bashki, nga 61 që janë aktualisht.









