Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të bashkëpunojë për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se nuk është bashkim programor ky, por kryebashkiaku mund të japë kontributin e tij nëse do.
“Cilido që dëshiron të kontribuojë në largimin e të keqes më të madhe, nuk është bashkim programor ky. Po në qoftë se Veliaj jep kontribut, le të japë. Nuk ndaloj asnjërin”, deklaroi Berisha.
Ftesa vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Ramës dhe Veliajt janë tensionuar, veçanërisht pas transferimit të kryebashkiakut nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Ndonëse e cilësoi Veliajn si një “të burgosur hajdut” dhe theksoi kontributin e PD-së në denoncimin e tij, Berisha u shpreh se kushdo që e konsideron Ramën si të keqen më të madhe për Shqipërinë mund të kontribuojë në largimin e tij.
Për të justifikuar këtë qëndrim, kreu i opozitës solli si shembull aleancën mes Winston Churchill dhe Josif Stalinit gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke argumentuar se edhe kundërshtarët më të mëdhenj mund të bashkohen përballë një armiku të përbashkët.
Berisha deklaroi gjithashtu se është i gatshëm të bashkëpunojë edhe me forca politike që e kritikojnë personalisht, për sa kohë ndajnë të njëjtin objektiv politik.









