Blendi Klosi, sekretari i përgjithshëm i PS, i ftuar këtë mbrëmje në Top Story, foli për mbledhjen e së shtunës të Asamblesë së PS-së, e sigurisht për atë që ishte lajmi kryesor, largimi i Elisa Spiropalit nga forumet e PS-së.
Ai tha se Elisa Spiropali nuk është shkarkuar nga partia, por nga të gjitha forumet e PS-së. Ai nuk pranoi t’i kthente një pyetje të drejtpërdrejtë Grida Dumës kur iu drejtua: A votuat për këtë shkarkim?
Ai tha se ishin forumet që pas kërkesës së Asamblesë vendosën që ta përjashtojnë atë nga të gjitha forumet e PS-së.
“Ishte një mbledhje rutinë për fushatën dhe organizimin tonë, mbledhje pune. Sigurisht, një pjesë e mbledhjes ishte me dyer të mbyllura. Ne pas mbledhjes jemi shpërndarë dhe kemi nisur punën për fushatën. E prisnim të kishte diskutim të gjerë për ku duhet të fokusohemi në fushatë, që të mos prodhojmë lajm në 6 muajt që vijnë, kush do jetë fokusi ynë.
U mor vendimi për t’i përjashtuar nga të gjitha forumet e PS-së, Elisa Spiropalin edhe Plarent Ndrecën. Ne nuk jemi parti që shkarkojmë njerëz, këtë filozofi ka pasur dhe në dekadat e fundit, që të jetë e hapur. E kemi dhe në statut që edhe online mund të regjistrohet. Kjo është mënyra si formohet Asambleja, si shkarkohet është bazuar në statusin e Asamblesë, që ua jep forumeve të partisë… Kjo është përbërja si krijohet forumi i lartë i PS-së, neni 22 jep të drejtën forumeve që për arsye që i gjykon vetë Asambleja kërkon shkarkimin.
Ishin tre kolegë që patën diskutime dhe e gjithë Asambleja mori këtë vendim. Në mënyrën si funksionon, u shkarkuan të dy anëtarët nga forumet, nga Asambleja e PS-së. Asambleja mbajti këtë qëndrim dhe të dy kolegët janë të shkarkuar nga forumet e PS-së, por jo nga PS-ja. Nga partia nuk kemi shkarkuar askënd”, tha ai.
Por cila ishte vija e kuqe që kaloi Spiropali, që solli këtë largim?
“Këto janë të gjitha problemet tona të brendshme. Publiku duhet të dijë se ku fokusohet PS-ja dhe është thjesht dhe shumë e qartë biseda. Janë organizimet tona të brendshme”, tha ai.









