Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën 31-vjeçares shqiptare Emanuela Shahini në Itali. E reja, nënë e dy fëmijëve, ndërroi jetë të dielën, më 22 nëntor, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët dhe komuniteti shqiptar ku jetonte.
Emanuela banonte prej kohësh në Prata di Pordenone dhe në momentin e aksidentit ishte duke udhëtuar drejt zonës së Villanova-s, ku do të merrte pjesë në një festë ditëlindjeje familjare.
Në automjetin tip “Ford Fiesta” ndodheshin edhe dy fëmijët e saj, përkatësisht 4 dhe 6 vjeç, si dhe një fëmijë tjetër 10-vjeçar.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 11:30, në rrugën Via Casali Nogherate, në Prata. Sipas mediave italiane, dyshohet se drejtuesja humbi kontrollin e automjetit në një kthesë, për shkak të asfaltit të lagur nga reshjet e shiut.
Makina doli nga rruga, u përplas fillimisht me një shtyllë betoni dhe më pas u përmbys, duke shkaktuar pasoja të rënda.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe karabinierët, të cilët ndërhynë për nxjerrjen e personave nga automjeti dhe dhënien e ndihmës së parë.
31-vjeçarja u transportua me urgjencë në spitalin e Pordenones, ku mjekët tentuan ta shpëtonin përmes procedurave të reanimacionit. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, Emanuela ndërroi jetë rreth orës 12:30.
Tre fëmijët e plagosur, vajza 4-vjeçare u transportua me helikopter
Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe tre fëmijët që udhëtonin në automjet me 31-vjeçaren.
Më shqetësuese ishte gjendja shëndetësore e vajzës 4-vjeçare, e cila u transportua me helikopter drejt spitalit Santa Maria della Misericordia në Udine, ku mori trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ndërkohë, dy fëmijët e tjerë u dërguan në spitalin e Pordenones për kontrolle dhe trajtim.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat italiane, fatmirësisht asnjëri prej tre fëmijëve nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kryetarja e bashkisë së Prata di Pordenone, Katia Cescon, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjen e 31-vjeçares dhe solidaritetin me të afërmit.
“Në emrin tim dhe të gjithë administratës bashkiake, shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së Emanuelës për këtë tragjedi të madhe. Një nënë e re u nda nga jeta shumë shpejt. Një lutje e veçantë për vajzën e vogël që ishte në bord me të, e shtruar në spital, dhe një mendim plot dashuri e afërsi për të gjithë të dashurit e saj, me të cilët jemi pranë në këtë moment dhimbjeje të papërshkrueshme”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, karabinierët kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit, përfshirë edhe kushtet e qarkullimit dhe shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit.
Vdekja e Emanuelës ka tronditur komunitetin ku ajo jetonte, ndërsa pas kësaj tragjedie familjare kanë mbetur dy fëmijët e saj.









