Në prag të festave të Nëntorit, edhe aktorja Monika Lubonja ka vendosur t’u drejtohet protestuesve, por me një shqetësim disi të ndryshëm nga ato që prej javësh artikulohen në sheshet e Tiranës.
Aktorja është e shqetësuar për monumentet e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, për të cilat kërkon respekt dhe mirënjohje.
“Të dashur protestues, e drejta për të protestuar është e shenjtë. Zëri juaj duhet dëgjuar, pakënaqësia juaj duhet shprehur”, shkruan Lubonja, duke vijuar me një apel për të mos cenuar monumentet historike.
“Mos i mbuloni sytë e historisë sonë. Mos i plagosni simbolet që duhet të na bashkojnë”, shprehet aktorja.
Sigurisht, respekti për monumentet kombëtare është një kërkesë e arsyeshme. Por edhe liria, dinjiteti dhe e drejta për të kundërshtuar pushtetin janë pjesë e trashëgimisë që përfaqësojnë pikërisht figurat historike të cilave u referohet Lubonja.
Fundja, dikush mund t’i thotë aktores se as Skënderbeu dhe as Ismail Qemali nuk kanë hyrë në histori për bindjen ndaj pushtetit të kohës.







