E përjashtuar nga Partia Socialiste, Elisa Spiropali ka folur në emisionin “Opinion” në Tv Klan për përplasjet me kryeministrin Edi Rama, largimin e papritur nga posti i ministres së Jashtme dhe situatën brenda PS-së.
Spiropali tha se ka dëgjuar që nga qytetarët ashtuquhet “Mamica”, duke u shprehur se mediat e kanë tepruar me etiketimin që i kanë vendosur.
“Unë jam quajtur ‘Mamica’, por mediat e kanë tepruar me krahasimin. Nuk e kam quajtur ‘Skënderbe’ Ramën, por e kam respektuar si kryeministër, pa diskutim. Kur nisi protesta e flamingove, por edhe pak më herët, deklarova se ky është momenti për të qëndruar në anën e duhur të historisë. Unë kam hedhur kritika, atëherë kur pakkush guxonte ta bënte këtë”, deklaroi Spiropali.
Ajo foli edhe për largimin nga detyra si ministre e Jashtme, duke theksuar se nuk i ishte dhënë asnjë arsye zyrtare dhe publike për këtë vendim.
Spiropali hodhi poshtë pretendimet se kishte tentuar të organizonte një lëvizje për rrëzimin e kryeministrit Rama, duke e cilësuar këtë si një narrativë të sajuar për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet që kërkonin përgjegjësi.
“Për arsyet se përse u hoqa si ministre e Jashtme duhet të pyesni kryeministrin. Pyetja është se përse largohen njerëzit, pa iu dhënë atyre arsye zyrtare e publike. U sajua një narrativë e tërë, për ‘puçin e famshëm’, ku në vend që të mbahej përgjegjësi për çështje të caktuara, u sajua një narrativë e tërë puçi, që sikur unë paskam pasur qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama”, tha ajo, duke shtuar se si ministre e Jashtme ka mbrojtur interesin shtetëror dhe kombëtar.
Spiropali u ndal te situata në Partinë Socialiste, për të cilën tha se pavarësisht se mbetet një forcë e rëndësishme politike në vend, ka nevojë për reformim dhe reflektim. Ajo kritikoi krijimin e “partisë-shtet”, duke paralajmëruar se PS nuk mund të mbështetet pafundësisht te dobësia e opozitës.
“PS është një aset kombëtar i Shqipërisë. Është një parti progresiste, pulsi i së cilës rreh nga e ardhmja. A ka tendenca të kthehet në kohë mbrapa? Po, ka dhe ka nevojë për reformim. Duhet të marrë fund partia-shtet. Nuk mund të vazhdojmë që të mbahemi në pushtet nga dobësia e opozitës. PS ka nevojë për një reflektim”, u shpreh Spiropali. /tvklan.al







