Edhe pasditen e kësaj të diele, policia vazhdonte të përdorte gaz lotsjellës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa protestuesit, të mbledhur që prej orës 10:00 të paradites, vijonin përballjen me forcat e rendit.
Protesta e 29 nëntorit nisi me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej” dhe marshimin drejt Kryeministrisë rreth orës 13:00, me thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës.
Një prej momenteve që parapriu përplasjet ishte kundërshtimi i protestuesve ndaj vendosjes së flamurit kombëtar në pajisjet mbrojtëse të efektivëve. “Hiqeni flamurin”, thirrën në kor qytetarët përballë kordonit policor.
Situata u përshkallëzua me hedhjen e kapsollave, gurëve dhe molotovëve nga protestuesit, ndërsa policia ndërhyri me ujë me presion, gaz lotsjellës, spraj me piper dhe plumba gome.
Përplasjet u zhvendosën disa herë nga Kryeministria drejt Parkut Rinia dhe sheshit “Skënderbej”. Gjatë pasdites u regjistruan edhe dëmtime të infrastrukturës rrugore, ndërsa disa protestues u filmuan duke prerë me gur fleksibël shtyllat e semaforëve.
Në orën 16:21, një grup protestuesish u rikthye në sheshin “Skënderbej”, ku vendosi kangjella përballë kordonit policor. Përplasjet vijuan edhe pas orës 17:00, me hedhje molotovësh dhe gaz lotsjellës në qendër të kryeqytetit.
Mes incidenteve të sotme ishte edhe plagosja e deputetit demokrat Kliti Hoti, i cili u godit në shpinë me plumb gome dhe u transportua në Spitalin e Traumës. Efektivi që e qëlloi është pezulluar, ndërsa Policia e Shtetit ka deklaruar se ai nuk kishte marrë urdhër për përdorimin e armës.
Deri në orën 15:00, Ministria e Shëndetësisë raportoi 12 të lënduar: tetë protestues, dy policë, një deputet dhe një kalimtar. Ndërsa deri në orën 17:48, numri i protestuesve të shoqëruar kishte arritur në 20. Bilanci mbetet paraprak, pasi përplasjet kanë vijuar edhe pas publikimit të këtyre shifrave.
Protesta e sotme ka marrë edhe vëmendjen e agjencisë Reuters, e cila e vendos atë në vazhdën e manifestimeve antiqeveritare që prej mesit të tetorit kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Pas afro tetë orësh protestë, autoritetet kishin një bilanc të të lënduarve, një numër të shoqëruarish dhe një efektiv të pezulluar për përdorimin e armës pa urdhër. Por përballë një vale protestash që vazhdon prej javësh, mbetet ende pyetja se çfarë zgjidhjeje politike po ofron qeveria, përtej ndërhyrjes së policisë.









