Lejdi Liçaj mbush 31- vjeç dhe i jep lamtumirën Flamurtarit. Ironia e fatit bëri që lojtari vlonjat të festonte dje me skuadrën në Antalia të Turqisë, në një kohë që në të njëjtën ditë, konfirmoi edhe largimin nga kuqezinjtë për t’u rikthyer në Gjirokastër me Luftëtarin. Liçaj foli dje për “Panorama Sport”, duke theksuar se largohet i nderuar për gjithçka ka bërë për Flamurtarin. Ai u aktivizua në nëntë takime dhe shënoi një supergol në fitoren 0-1 në Lushnjë.
“Më vjen mirë që me kontributin tim dhe golin që shënova në fazën e dytë, kam ndihmuar këtë Flamurtar që të jetë atje ku i takon. Për këtë mundësi që më dha administratori Sinan Idrizi, unë e falënderoj shumë. I jam shumë mirënjohës që pranoi të largohesha te Luftëtari, duke më hapur derën për një rikthim te Flamurtari.” “Gjithashtu, falënderoj profesor Shpëtim Duron, që më ka dhënë mundësinë dhe më ka respektuar. Më bëhet qejfi që e kam nderuar dhe i kam dhënë pikë për objektivin që ka Flamurtari. Edhe shokët e skuadrës dua t’i falënderoj për mbështetjen, po ashtu tifozët, të cilët më kanë përkrahur gjithmonë.”
“E bëra këtë zgjedhje, sepse mendoj që duhet të luaj më shumë. Do vazhdoj karrierën te Luftëtari, një klub që e njoh mirë. Pasi të mbaroj këtë sezon në Gjirokastër, nuk është çudi që të rikthehem sërish në Vlorë”, deklaroi dje Liçaj, në një kohë që shokët e ekipit i kanë bërë edhe një surprizë për ditëlindjen, duke i vendosur një tortë me numrin 31. Ata kanë festuar në ambientet e resortit në Antalia, ndërsa Liçja nuk ka lënë pas batutat. “Profesor, më duket se më ndoqët me lezet…”, – i ka thënë lojtari trajnerit Duro, ndërsa videoja ka bërë dje xhiron e rrjeteve sociale.