Vendi i tretë në tabelën e klasifikimit me një diferencë prej katër pikësh nga ndjekësi më i afërt dhe fitorja ndaj Flamurtarit në shtëpi, ka kënaqur jo pak drejtuesit e Luftëtarit. Ata e kanë ndjekur nga afër përballjen e djeshme dhe nuk kanë ngurruar t’i bëjnë elozhe skuadrës.
Zv.presidenti Harallamb Tavo, në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport”, është shprehur: “Kemi marrë një fitore të merituar dhe nuk kemi pse të mos synojmë edhe vendin e dytë në renditjen e Kategorisë Superiore, ku duhet të rivalizojmë me Kukësin”.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe drejtori sportiv, Vangjel Çavo, që është i bindur se skuadra e tij ka siguruar pjesëmarrjen në Europë. “Kjo ishte fitorja që na siguroi një vend në Europë dhe besoj se e meritojmë realizimin e një objektivi të tillë. Por, na duhet ende shumë punë në vijim”, ka thënë Çavo. Megjithatë, gara për vendin e dytë do të jetë mjaft e fortë dhe Luftëtari shpreson që Kukësi të ndalet në ndeshjen e sotme që do të luajë në Korçë ndaj Skënderbeut. Në rast se verilindorët humbasin, diferenca e bluzinjve me vendin e dytë shkon në pesë pikë.