Nëse në fundin e tabelës bëhet prej javësh çdo lloj llogarie e mundshme për mbijetesën në Superiore mes Vllaznisë dhe Kamzës, edhe lufta për vendin e tretë në Europë duket se ka një llogari të çuditshme që duhet bërë. Në fakt, sipas përllogaritjeve dhe rregulloreve, Laçi duhet të shpresojë që Lushnja të mos bërë çmenduri ndaj Luftëtarit, sepse në të kundërtën rrezikon të lërë kurbinasit në vendin e pestë në renditje dhe i detyron të fitojnë Kupën.
Situata para javës së fundit sheh Luftëtarin me tre pikë avantazh në renditje ndaj Laçit dhe Partizanit dhe me një ndeshje të mërkurën të cilën në teori duhet ta mbyllë me pikë, atë ndaj Lushnjës. Por nëse gjirokastritët nuk marrin pikën që i duhet në këtë sfidë, duke përfunduar të mposhtur, mund të barazohen me pikë nga Partizani dhe Laçi, nëse këto të dyja fitojnë ndeshjet përkatëse ndaj Kamzës dhe Teutës.
Në këtë rast, hyn në lojë bilanci i përgjithshëm i ekipeve ndaj njëri-tjetrit dhe ai sheh Luftëtarin në kuotën e 12 pikëve, Partzanin në kuopën e 11 pikëve dhe Laçin të tretin në kuotën e 9 pikëve në mini-kampionatin mes tre skuadrave. Kësisoj, Luftëtari do të cilësohej i treti dhe automatikisht në Europë, Partizani i katërti dhe Laçi i pesti. Si kryeqytetasit, ashtu edhe kurbinasit do të ishin në pritje të rezultatit të Kupës së Shqipërisë dhe fatit të dënimit të Skënderbeut nga UEFA.