Uruguai mposhti në fundin e takimit Egjiptin në ndeshjen e dytë të këtij Botërori me një gol të shënuar me kokë nga Gimenez. Edhe pse pa Mohamed Salah në fushën e lojës, Egjipti arriti të mbahet mirë deri në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur lojtari i Atletico Madrid Jose Maria Gimenez kërceu mbi të gjithë dhe më pas e dërgoi topin në rrjetë. Uruguai ishte më superior, duke tentuar shpesh drejt portës së Egjiptit, ku Cavani goditi edhe shtyllën pak para golit. Në anën tjetër, edhe pse pa Salah, Egjipti provoi të ishte i rrezikshëm, por Uruguai u mbrojt mirë. Me këtë fitore, Uruguai i bashkohet Rusisë në krye të grupit me 3 pikë, por organizatorët kanë golavarazh më të mirë pas fitores së një dite më parë 5-0 ndaj Arabisë Saudite.