Një deklaratë që shkaktoi polemika të mëdha ishte ajo e djeshmja nga ana e komentatorit të njohur, Kosta Grillo. Ai shprehej se do të bënte tifoz për Serbinë gjatë Botërorit të Rusisë, pasi bëhet fjalë për një vend ballkanik dhe është një adhurues i futbollit sllav. Sigurisht që zërat kundër kësaj deklarate kanë nisur menjëherë, por vetë komentatori nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e tij. Ai është shprehur sërish se nuk ka asnjë arsye për të kërkuar falje, ndërsa shprehet se luftën nuk e kanë bërë futbollistët e Serbisë, madje ata janë miq të ngushtë me shqiptarët e Kosovës kur gjenden në të njëjtën skuadër.
“Në Shqipëri ka shumë tifozë të futbollit në kohën e Jugosllavisë – jemi rritur me këtë futboll, përfshirë ekipin e Crvena Zvezdës, Dinamos dhe të Partizanit. Por ka shumë arsye që tifozërinë nuk e shprehin publikisht. Edhe ju në Kosovë nuk jeni në armiqësi të madh me futbollin e këtij vendi, normalisht arsyet politike janë tjera. Unë nuk dua të merrem me politikën – merrem me futbollin dhe jo me Federatën Serbe as me atë kosovare. Ajo që më bëri mua përshtypje është se nuk e morën me një deklaratë timen që thashë se Kosova do të kualifikohet para Shqipërisë, por u morën me këtë.
Në çdo skuadër të botës, ku ka një kosovar dhe një serb ata rrinë bashkë, janë shumë më të afruar sesa me kombësitë e tjera. Futbollistët serbë nuk besoj se kanë lidhje me luftën në Kosovë. Unë jam tifoz edhe për Kosovën edhe për Serbinë ose Kroacinë kur luajnë në Kampionat për shkak se janë ekipe nga Ballkani.
Pse duhet të kërkojë falje? Nuk kam bërë ndonjë krim, nuk kam ndonjë gjë për të kërkuar falje. Për çfarë të kërkojë falje, nuk e kuptoj këtë. Nuk e di pse janë acaruar, ka shumë njerëz që më kanë marrë në telefon dhe më kanë dërguar mesazhe që më kanë thënë se bravo të qoftë se ke thënë diçka reale, kështu e ke menduar dhe kështu e ke thënë. Nuk jam tip mediatik, nuk dal kurrë ose dal shumë rrallë dhe nuk e kam në qejf zhurmën e as publicitetin”, ka thënë Grillo për Klan Kosovën.