Luftëtari do të luajë më 12 korrik ndeshjen debutuese në Ligën e Europës, ku përballë do të ketë skuadrën e Ventspilsit. Gjirkoastritët kanë kryer fazën përgatitore në Slloveni, ku edhe janë afruar disa emra të rinj që do të luajnë me Luftëtarin sezonin që po vjen.
Një ndër to, është mesfushori Aldrit Oshaf për të cilin duket se kanë nisur problemet e para. Ish-klubi i tij, Besa ka kërkuar nga Lufëtatri që të lërë të lirë Oshafin pasi ai është nën kontratë me Besën dhe se nuk mund të largohet në atë mënyrë. Drejtuesit kavajas janë shprehur se nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre, atëherë Luftëtari do të përfundojë në gjyq.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur presidenti i skuadrës verdhezi, Nexhat Bizhdili i cili shprehet se Besa është skuadra që prodhon talente dhe asnjë ekip nuk mund të tallet me djersën e tyre. Ai gjithashtu ka kërkuar nga Oshafi që të rikthehet në Kavajë, pasi ka një kontratë 3-vjeçare me lojtarin.
“Së bashku me trajnerin Begeja dhe stafin, ne vendosëm të krijojmë një grup që mund të konkurrojë për Superiore sezonin tjetër. Përveç disa kosovarëve që kam në skuadër, nga rruga mora edhe Aldriot Oshafin ndërsa tani marr vesh që ka ikur te Luftëtari.
Oshafi ka një kontratë për 3 vjet me mua dhe Besën, madje me të drejtë rinovimi dhe në këto kushte, as Oshafi dhe askush nuk mund të grabisë investimin tim. Ne e presim Oshafin në ekip dhe nëse nuk rikthehet, do të hedh në gjyq Luftëtarin.
Siç e dini, Oshafi nuk është as i fundit dhe as i pari talent që del nga Besa, pasi më parë kanë dalë Bernard Berisha, Arbnor Fejzullahi, Bajram Jashanica e të tjerë”, tha mes të tjerash Bizhdili.
Ky nuk është rasti i parë kur Luftëtari përballet me probleme në transferime, duke qenë se Vllaznia i bllokoi letrat Erjon Vucajt dhe bëri që ai të mos luante në miqësoren e fundit dhe rrezikon edhe pjesëmarrjen në Europë.