Prokurori i Tiranës Adriatik Cama ka dalë sot para Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit për t’u njohur me gjetjet që kanë kryer anëtarët e këtij komisioni, gjatë hetimit të tyre për veprimtarinë profesionale, morale dhe pasurinë e tij. Cama është edhe kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Trupa gjykuese përbëhet nga Genta Tafa, Suela Zhegu dhe Pamela Qirko, në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar është Xhon Leonardo. Prokurori Cama u shfaq i shokuar nga seanca publike para trupës gjykuese dhe në momentin kur iu kërkua të prezantohej dhe të jepte kartën e identitetit, mbeti i ngrirë për disa sekonda dhe më pas reagoi. ILDKPI thotë se prokurori nuk ka fshehje pasurie apo mos justifikim pasurish, por sipas KPK, nga hetimi i thelluar, prokurori ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë. “Ai ka kryer gjatë komunikimit elektronik deklarata kontradiktore për vlerën e një shtëpie, duke cenuar rëndë figurën e prokurorit”.
Kush është Adriatik Cama
Cama, prej disa vitesh ushtron veprimtarinë e tij si prokuror në Tiranë, duke qenë pjesë e hetimit në disa çështje të nxehta si ajo e dosjes “21 janari”, mosdënimi i Mark Frrokut për vrasjen e Aleksandër Kurtit në Belgjikë dhe çështje të tjera hetimore. Cama ka shërbyer dhe në qytetin e Lushnjës, ku ka hetuar disa nga anëtarët e bandës së Lushnjës, hetime këto që nuk kanë sjellë rezultat.
Prokurori Cama, është një nga kandidatët për të qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por për tu bërë pjesë e këtij institucioni ende të paformuar, duhet më parë të kalojë lupën e “Vetting-ut”. Karriera e tij nis në Tepelenë, pikërisht në këtë qytet mësohet të ketë qënë zv/drejtues prokurorie, por me sa duket pas një çështje të përfunduar jo mirë, Cama, shkarkohet nga detyra e prokurorit, duke u ulur në detyrë si oficer i thjeshtë, dhe transferohet në një qytet verior në Has.









