Nga Enton Palushi
Nuk kishte kaluar shumë kohë kur socialistët kishin rimarrë pushtetin me Edi Ramën në krye të qeverisë dhe ai vendosi ta shpallë veten si një nxënës të Nolit e Konicës. Në një nga fjalimet përballë tatimorëve e doganierëve, me shpresën se një kompani angleze do të ‘ringjallte’ punën e këtij sektori jetik në vend, duke reklamuar makina e uniforma të reja, kryeministri theksoi se është kthyer në problem paraqitja e doganierëve. Diçka të tillë e tha më vonë në një takim me oficerë policie, në krah të ish-ministrit Saimir Tahiri. Me pak fjalë, la të kuptohet se korrupsioni dhe trashësia trupore kanë një lidhje. Po niste në Shqipëri një qeverisje e re, e natyrës estetike, e cila ka vazhduar deri më sot, kur ministri zëvendësministër i Brendshëm u kërkon vartësve të tij që të mos rrinë në kafene dhe të mos ekspozohen në publik policët ‘barkderra’.
***
Para pak ditësh, një atentat mafioz tronditi vetëm Durrësin. Autorët u larguan pa lënë asnjë gjurmë, kurse objekt i atentatit ishte një personazh i njohur i botës së krimit në vend. Nuk është e nevojshme që të thuhet se policia zor se do i bjerë në fije kësaj ngjarje të rëndë. Kurse dy ditë më pas, u raportua se lufta për ndarje territoresh në qytete si Durrësi, Shkodra apo Vlora po bëhet e frikshme. Dhjetëra persona janë zhdukur si pasojë e kësaj lufte mes grupeve kriminale që tashmë kontrollojnë territore të tëra, duke i bërë këto qytete me rëndësi jetike për vendin, si periferi të pabanueshme.
E megjithatë, për kryeministrin në vend nuk ka banda, por ka vetëm rrugeçër. Përse e thotë këtë gjë? Sepse kështu ia kërkon opinioni publik. Kështu shpreson se do të bindë ato gra e burra që mendojnë se e keqja e këtij vendi janë ata që bëjnë zhurmë, që bëjnë ndonjë vjedhje të vogël, që dalin të dehur në rrugë, që xhirojnë gomat, etj. Me fjalë të tjerat, rrugeçërit. Sepse ata që bëjnë krimet e mëdha jo vetëm që nuk mund t’i shohësh në rrugë, por ata mund të jenë burra të sjellshëm. Koha e ka treguar se njerëz të sojit të tyre janë mjaft të mirë me njerëzit e zakonshëm. Lexoni këtu historitë që nga mensat e supave të Al Capone-s e deri te ‘përkujtimorja’ e fundit e ‘The Economist’ për gangsterin James Bulger, i njohur si një Robin Hood për njerëzit e zakonshëm.
Ne ia kemi kërkuar këtë stil qeverisje, që kur kemi thënë se kemi nevojë për shtet. Ne e kemi dashur që kur kemi thënë se shqiptarët nuk bëhen. Ne e duam këtë mënyrë drejtimi pasi nuk kuptojmë nga arti dhe kultura. Ne e pranojmë shembjen e ‘Shqiponjës’ dhe ‘Teatrit’. Dhe kjo qeveri është gati që të na i plotësojë dëshirat. Doni më shumë shtet? Ja ku e keni plot me taksa dhe policë në dyert e gjithkujt. Doni më pak ves? Ja ku mbyllen kazinotë. Doni më pak varfëri? Ja ku e keni kryeministrin që meremeton shtëpitë e fakirëve. Doni më pak krim? Ja ku e keni policinë që e thotë edhe zyrtarisht që po arreston ‘të fortët’, një term-rudiment i fillimviteve ’90 për të portretizuar ata që ziheshin me grushte nëpër rrugë dhe shqetësonin lagjen me kasetofonat në kupë të qiellit. Sa për ata të tjerët, që kontrollojnë territore e pasuri, që vendosin gjoba mbi biznesin, një krim që të bën të vësh duart në kokë, ata ‘hëngshin kokat e tyre’. Kësaj qeverisje ia jepni formën ju.
***
Në vitin 1969, një psikolog nga universiteti Stanford, kreu një eksperiment interesant. Philip Zimbardo vendosi dy makina në dy vende të ndryshme në SHBA: në një lagje të njohur për krimin në Nju Jork dhe në një lagje të pasur në Palo Alto të Kalifornisë. Makinave iu hoqën targat dhe u braktisën. Pas dhjetë minutash, kalimtarët në Nju Jork nisën të vandalizojnë makinën. Por në Palo Alto makina mbeti e paprekur për një javë. Atëherë Zimbardo bëri diçka të pazakontë: Mori një çekiç dhe theu dritaret e makinës. Pas kësaj, kalimtarët e ‘zhveshën’ atë brenda pak kohësh, njësoj si në Nju Jork.
13 vite më vonë, kriminologët George Kelling dhe James Wilson botuan një shkrim te revista “The Atlantic”. Të mahnitur nga ky eksperiment, ata përdorën një term për t’i dhënë jetë një teorie me kaq shumë ndikim në botën perëndimore, të quajtur ‘Teoria e dritareve të thyera’. Sipas tyre, qeveritë duhet të shpenzojnë sa më shumë para për të nxitur atë që më përpara njihej si policimi në komunitet. Me fjalë të tjera, nëse investohet shumë për të ndaluar krimet e vogla, nuk do kemi më vonë krime të mëdha. Në vend që të zgjidhen krimet serioze, duhet të pastrohen rrugët dhe të ruhet qetësia.
Teoria dukej kaq interesante dhe ndër ata që e aplikoi, ishte kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani. Ai e nisi fillimisht me ata që nuk paguanin biletat në metro. Teoria u duk se dha fryte dhe Giuliani u rizgjodh, duke vlerësuar atë që e quajti “teoria e bukur”.
Por ishte një profesor i universitetit ‘Columbia’, Bernard Harcourt që e rrëzoi këtë teori. Fillimisht, kjo periudhë e aplikimit të kësaj teorie përkoi me një rritje të ndjeshme të dhunës së policisë mbi qytetarët të thjeshtë. A nuk kemi parë edhe në rastin e Shqipërisë, shtim të rasteve ku qytetarët përfundojnë të vetëvrarë ose vdekur nëpër komisariate? Ose rastet e fëmijëve që bëhen pre e kësaj politike, duke kaluar orë të tëra nëpër komisariate?
Jack Greene shkruante se që në fillimet e saj, policia lindi si një forcë reaktive, jo parandaluese. Policia nuk shihej si ‘zgjatim i komunitetit’, por si zgjatim i politikanëve të korruptuar.
Ryan McMaken i institutit liberal “Mises” thotë se parandalimi është detyrë e shkollës, familjes, shoqërisë. Për më tepër, ai shkruan se policitë private po i zgjidhin gradualisht problemet e krimit të vogël, pasi kujdesen për shumë hapësira në jetën tonë, që nga rezidencat, shkollat, qendrat tregtare, bankat, aeroportet etj.
Kthimi i agjentëve të policisë në ‘agjentë të cilësisë së jetës’ është problematik pasi është e provuar që sa më shumë kontakte të kesh me njerëzit, aq më shumë shtohet korrupsioni. Mbi të gjitha, të merresh me krimet e vogla dhe me njerëzit e zakonshëm, është rruga e lehtë, jo e vështirë. Ajo e vështira është që të luftosh krimin e organizuar. Dhe ‘Dritaret e thyera’ nuk e zgjidhin problemin e kësaj të fundit.
Në Shqipëri, disa thonë me të drejtë se teoria dha frytet e saj, duke vënë për vije disa probleme të thella, siç është ai i mospagimit të faturave të energjisë elektrike. Por ngadalë, policia denatyrohet në rolin e saj, që është lufta ndaj krimit të sofistikuar.
***
Një polici e pastër, elegante dhe e komunikueshme është e mirë. Por kësaj teorie i ka dalë boja. Besimi se ‘kriminelët po vrasin njëri-tjetrin’ rezultoi një gabim. Sepse pikërisht këta kriminelë po e bënin dëmin më të madh ndaj vendit.
Liberali McMaken shkruan se kjo teori është kaq e gjallë, pasi përdoret për qëllime politike, për të treguar se drejtuesit e vendit janë të angazhuar në punë.
‘Për sa kohë që forcat e policisë gëzojnë kompetenca monopoliste dhe i nënshtrohen kontrollit politik dhe jo kontrollit të tregut, e vetmja mënyrë për të minimizuar potencialin e policisë është minimizimi i mundësive të tyre ligjore’, shkruan McMaken.
‘Dhënia e fuqisë policisë për të qenë agresiv ndaj popullsisë në emër të ruajtjes së rendit, ka të ngjarë të shkaktojë pakënaqësi, dyshime dhe pengesa në zbatimin e ligjit ndaj krimeve më serioze. Është koha që të pranojmë se teoria e ‘dritareve të thyera’ ka dështuar’./mapo.al