Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës, pas tre orësh të shoqëruara me debate dhe polemika mes anëtarëve për situatën në klubin e Luftëtarit, ka miratuar një fond prej 230 milionë lekësh të vjetra (në total janë 300 milionë, pasi bashkia ka një detyrim të prapambetura ndaj klubit për këtë vit në shumën 70 milionë lekë të vjetër).
Anëtarët e Këshillit ranë dakord që të ketë një audit ndaj klubit për veprimtarinë financiare. Nuk munguan akuzat mes palëve, ndërsa si përfaqësues të klubit në mbledhje ishin drejtori sportiv, Gentian Nora, si dhe zv.presidenti Harrallamb Tavo.
“Panorama Sport“ zbardh ekskluzivisht debatet në bashki, ku në fund në momentin e votimit, përveç këshilltarëve të Partisë Demokratike, të gjithë anëtarët e tjerë ngritën dorën për të miratuar fondin që i takon klubit, duke qenë se bashkia 25 % të shoqërisë aksionere. Nuk munguan akuzat ndaj presidentit aktual të klubit, Grigor Tavo, por gjithsesi në fund palët dolën të qeshura nga mbledhja, duke u zhveshur nga poltika.
Petrit Brahimi, këshilltar i PS: “Problemi është shuma që jep bashkia për klubin e Luftëtarit. Kam disa pyetje që duhet të na i sqaroj vetë kryetarja e bashkisë. Kush është administrator i klubit Luftëtari? Kush është përfaqësuesi që menaxhon 25 % të aksioneve që ne si bashki japim në atë shoqëri? Nëse ne kemi dhënë rregullisht fondin, a ka derdhur ortaku ynë me 75 % pjesën e vetë? Këtu na është paraqitur një material nga administratori Grigor Tavo, që për mua është i jashtëligjshëm”.
Zamira Rami, kryetare e bashkisë: “Shoqëria aksionere funksionon në mënyrë të pavarur sa i përket pjesës administrative. Pyetjet që bëni ju mund t’ua japë vetëm përfaqësuesi zyrtar me 75 % të shoqërisë aksionere. Unë mund të them vetëm kaq, që ne si bashki jemi përpjekur që në respekt të ligjit dhe planifikimit që kemi bërë për klubin e Luftëtarit, të kërkojmë të gjithë dokumentacionin financiar. Pra, fondi që japim ne për tre mujorin e parë, të mos kalojë në llogarinë e klubit pa marrë më parë dokumentacionin ekonomiko-financiar të shoqërisë. Kjo shoqëri subvencionohet periodikisht nga bashkia. Ne kemi vepruar sipas ligjit dhe deri në këtë pikë detyra jonë si bashki mbaron. Luftëtari funksionon në mënyrë të pavarur, bazuar në ligjin për sh.a. Detyrimin dhe përgjegjshmërinë e saj nuk e kontrollon bashkia, por autoriteti tatimor. Ne si bashki nuk kemi të drejtë për të bërë audit në shoqërinë aksionere Luftëtari, por askush nuk na pengon të kontrollojmë situatën financiare. Jemi koshient që subevncionojmë humbjet në bazë të dokumentacionit që na paraqitet çdo tre muaj”.
Petrit Brahimi, këshilltar i PS: “Ne nuk kemi parashikuar humbjet, sepse nuk mund të ngrihet një piramidë mbi rërë. Kemi 25 % aksione te Luftëtari dhe përfaqësuesi i bashkisë duhet të menaxhoj se ku shkon edhe qindarka e fundit nga fondi që japim për klubin. A ka derdhur pjesa tjetër që ka 75 % të aksioneve vit pas viti atë që i takon? Shoqëria del me humbje marramendëse dhe nesër mund të shpallë falimentin, por kjo faturë do t’i mbetet bashkisë. Është shumë e qartë, kompania “ANAST” që ka Luftëtarin, a ka derdhur çdo vit 600 milionë lekë të vjetra që i takon, në një kohë që bashkia me 25 % ka dhënë 230 milionë lekë të vjetra për klubin. Këtë kush mund të na i sqaroj? Vërtet nuk kemi të drejt të futim hundët në sh.a, por do të mbrojmë lekët e bashkisë dhe do të shikojmë partneritetin. Tavos ia dhamë të gjitha asetet pa qera, çfarë po ndodh tani?”.
Zamira Rami, kryetare e bashkisë: “Së pari nuk duhet të mohojmë se Luftëtarin nuk e kishim parë ndonjëherë me atë performancë të shkëlqyer që bëri sezonin e kaluar. Shpenzimet si në çdo klub futbolli që kap majat janë të konsiderueshme. Nuk mund të zgjidhet problemi me fondin e bashkisë, për këtë duhet të jemi të qartë”.
Petrit Brahimi, këshilltar i PS: “Kompania e ka dhënë pjesën e saj? Po ose jo, kaq donim të dinim“.
Eksperti i bashkisë: “I jemi përgjigjur shoqërisë për atë që na takon. Kemi të drejtën të ushtrojmë kontroll në masën 25 %. E kemi bërë kontrollin paraprak, kemi bërë edhe auditin e brendshëm. Bashkia ka përfaqësues në këshillin mbikqyrës të klubit. Në bazë të dokumentacionit ne bëjmë subvencionin për pjesën tonë. E dimë se ku shkojnë këto lekë. Administrator i klubit është Fatjon Kajushi, ndërsa aksioneri që disponon 75 % të aksioneve është Grigor Tavo“.
Dashnor Aliko, përfaqësues i PD: “Ne duam që shoqëria aksionere të zbatojë pjesën që i takon, kaq“.
Petrit Brahimi, këshilltar i PS: “Ne si bashki dhe Tavo me 75 % caktojmë administrorin, ndërsa këtu na del që prej vitesh se administrator nuk paska qenë Grigor Tavo, por Donjaldo Hoxha, i cili është shkarkuar dhe tani na qenka emëruar Fatjon Kajushi. Në dokumentat që ne kemi, nuk ka asnjë firmë të administratorëve, por të Grigor Tavos“.
Eksperti i bashkisë: “Është firma e Tavos, sepse relacioni është 9-mujor dhe ai ka qenë në rolin e administratorit deri në shtator“.
Gentian Nora, drejtor sportiv i klubit: “Administratori është ndryshuar. Ka qenë para dy muajsh Grigor Tavo, më pas Donjaldo Hoxha dhe tashmë Fatjon Kajushi, i cili nuk ndodhet këtu për shkak të një problem personal”.
Zamira Rami, kryetare e bashkisë: “Dokumentacionin e keni në emër të Grigor Tavos, sepse ai mban përgjegjësi, jo adminitratori që ka ardhur tani në detyrë”.
Petrit Brahimi, këshilltar i PS: “Kush është përfaqësuesi i bashkisë në Këshillin mbikqyrës të klubit?“.
Zamira Rami, kryetare e bashkisë: “Ka qenë Gentian Nora”.
Dashnor Aliko, përfaqësues i PD: “Me ligj administratorin e cakton këshilli mbikqyrës, nuk e catkojmë dot ne. Ne duam të dimë kush është ai që na përfaaqëson ne si bashki në këshillin mbikqyrës të klubit…”.
Gentian Nora, drejtor sportiv i klubit: “Këshilli përbëhet nga tre anëtarë: Grigor Tavo, Aleksandër Misto dhe Artur Dadaj”.
Zamira Rami, kryetare e bashkisë: “Zoti Aliko, përgjegjësitë e bashkisë në menaxhimin e shoqërisë janë zero”.
Dashnor Aliko, përfaqësues i PD: “Jemi të paqartë dhe të shqetësuar për klubin. Ju kam kërkuar që të na sillni një analizë ekonomike-financiare të sh.a. Dalin me humbje apo fitim? Në fillim ka qenë një buxhet 1 miliardë lekë për klubin, ku 230 milionë lekë i takonin bashkisë dhe 770 pjesës që ka 75 % aksione. Ne kemi kërkuar nëse pala tjetër është korrekte në këtë shoqëri, madje një prej anëtarëve ka thënë që edhe 1 miliardë lekë janë pak për klubin”.
Zamira Rami, kryetare e bashkisë: “Nuk kemi bërë ndonjëherë derdhje si kapital, po ngatërroheni. Në vitin 2016 është bërë vlerësimi i asteve, të lutem mos flit gënjeshtra”.
Dashnor Aliko, përfaqësues i PD: “Gënjeni ju zonja kryetare, mos u revolto, ruaj qetësinë. Është hera e parë që dëgjojmë se japim subevencion çdo vit dhe hedhim në gropë 230 milionë lekë”.
Zamira Rami, kryetare e bashkisë: “Thuaj të vërteta, jo të pavërteta, OK”.
Eksperti i bashkisë: “Nëse do të kalonim më shumë se 25 % që na takonte, atëherë do të na shtoheshin ne aksionet”.
Vjollca Koko, Kryetare e Këshillit Bashkiak: “Duhet më shumë qetësi dhe seriozitet, Luftëtari është aseti ynë”.
Armand Hila, kryetari i Këshillit të Qarkut: “Do ju lutesha që ky diskutim të ishte sa më serioz dhe të jemi më të përgjegjshëm kur përdorim terma për ekipin. Nuk mund të themi ne gropë, kur aty është marrë një rezultat pozitiv në këto vite. Lojtarët e Luftëtarit po na dëgjojnë, më shumë respekt për ta, sepse nuk kanë asnjë faj ata se si funksionon marrëdhënia financiare. Kemi shkuar të gjithë në stadium kështu siç jemi dhe e kemi mbështetur ekipin, pavarësisht politikës që bëjmë. Jam shumë dakord që të kërkojmë llogari, por nuk mund të flasim me terma ofendues këtu dhe të na dëgjojnë ata lojtarë të cilët çuan Luftëtarin në Europë. Nuk mund të themi ne se lekët hidhen në një gropë të zezë. Më shumë respekt për skuadrën”.
Dashnor Aliko, përfaqësues i PD: “Nuk ofendojmë ekipin, po flasim për financat. E kemi mbështetur gjithnjë Luftëtarin”.
Arben Rexha, këshilltar i PS: “Jemi këtu për të ndihmuar Luftëtarin, jo për të rënduar situatën. Futbolli nuk është as i PD, as i PS dhe as i LSI. Të gjithë së bashku duhet të ndihmojmë klubin me mënyrat tona. Më vjen keq, sepse është krijuar edhe një akademi, por ata të rinj jo vetëm që paguajnë për t’u stërvitur, por edhe për udhëtimet. Ta mbyllim futbollin sipas jush?! Të vetmen gjë që ka ky qytet në sport është Luftëtari. Unë e di që e ka marrë dikush dhe po e çon poshtë, por hajd të gjejmë një zgjidhje për lojtarët dhe qytetin. As për Grigor Tavon dhe as për bashkinë”.
Shkëlqim Guçe, këshilltar i PS: “Po dëgjojmë shumë ankesa për borxhe të klubit. E di që nuk është faji i bashkisë, por pjesa që ka 75 % aksione duhet të bëj më tepër. Ky është problemi. Bashkia është OK dhe pronari është i keq…”.
Mimoza Çomo, këshilltare e PD: “Kam vetëm një pyetje? A i kanë marrë lojtarët dhe stafi teknik pagat?
Gentian Nora, drejtor sportiv i klubit: “Do më falni se jam dhe me tuta dhe po vij nga një aktivitet sportive (ilaritet në sallë). Së pari dua të sqaroj se në këshillin mbikqyrës të klubit përfaqësues i bashkisë kam qenë unë. Por, kam dhënë dorëheqjen dhe tani jam drejtor sportiv i klubit. Nuk mund të mbaja dy role, pasi nuk lejohet. Kur thoni gropë e zezë për financat, dua t’ju bëj me dije se Luftëtari ka përfaqësuar qytetin deri më tani me shumë dinjitet.
Mimoza Çomo, këshilltare e PD: “Jeni keqkuptuar, nuk e kemi me individët, por me financat. Duam të dimë a i kanë marrë pagat e prapambetura lojtarët?“.
Gentian Nora, drejtor sportiv i klubit: “Paguhemi në varësi të punës që bëjmë. Klubi ka objektiva dhe roli im është që të merrem me anën disiplinore të skuadrës, që është shumë e rëndësishme. Ju po niseni nga ato që shkruhen në media për Luftëtarin, jo gjyqe me lojtarë, jo paga të prapambetura etj. Rrogat i kemi marrë, të gjithë kanë kontrata dhe detyrime”.
Petrit Brahimi, këshilltar i PS: “Fakti që mungon administratori i klubit këtu mendoj se është diçka jo serioze. Megjithatë, e ndjej detyrim të them se e kemi mbështetur Luftëtarin ndër vite, pasi është obligimi ynë karshi qytetarëve. Por, situata financiare në klub nuk më pëlqen. Do të japim kontributin tonë që skuadra të dalë nga kjo situatë një orë e më parë. Për vitin 2019 kemi parashikuar 230 milionë lekë të vjetra për klubin. Shikoj që vetëm për akomodimin e ekipit dhe ushqimin, Luftëtari ka harxhuar në këto 9 muajt e fundit 340 milionë lekë të vjetra, një rritje 2.5 herë më tepër se viti 2017. Nuk kemi asnjë të dhënë për gjyqet që mund të jetë përfshirë klubi për pagesat e padhëna ndaj furnitorëve. Klubi i Luftëtarit ka fryrë shpenzimet në këtë vit dhe nuk ka raportuar të ardhurat nga transfertat e lojtarëve. Bilanci që na është paraqitur është i pasaktë dhe me të dhëna jo reale. Rreth 550 mijë euro të ardhura nga shitja e lojtarëve si Kristal Abazaj, Dejvi Bregu etj., nuk janë pasqyruar në bilancin e klubit. Kërkojmë që në klubin e Luftëtarit të ngrihet një komision auditimi. Propozojmë që për vitin 2019, për të rregulluar imazhin e ekipit, të japim OK vetëm për pagat. Pra, të mos bëhet asnjë fond shtesë jashtë parashikimit. 230 milionë lekë të jenë të ndarë në tre mujorë, mos të kalojë gjithë shuma njëherësh për klubin. Ky është kushti ynë”.
Ilir Gushi, këshilltar i PD: “Dua të di, kompania ‘ANAST’ ka 75 % aksione apo menaxhon paratë e bashkisë? A ka kontribut për të plotësuar kompania? Kapitali i klubit, nëse kompania nuk i ka plotësuar, atëherë shkon 85 % për bashkinë. Në këto kushte, kur jemi me humbje dhe e kemi parashikuar, të nxirren aksionet e bashkisë në shitje. Ne tashmë planifikojmë 230 milionë lekë për klubin. Kjo kompani e ka marrë tatëpjetën, nuk po më hap më gropa, por puse”.
Aurel Lapa, zv.kryetar i bashkisë: “Nuk i shesim dot aksionet, pasi aty te 25 % kemi vlerësuar emrin e klubit. Nuk mund të shesim emrin e klubit, ajo është pronë e jona“.
Thoma Andrea, këshilltar i LSI: “Përtej problemeve që ka klubi, të cilat nuk duhen anashkaluar, duam apo nuk duam ne, mendoj se Luftëtari në këto tri vite ka pasur një impakt shumë të madh në jetën sociale të qytetit. Asnjëherë bashkia nuk ka harxhuar më shumë se 300 milionë lekë të vjetra për futbollin. Klubi duhet të auditohet, por miratimi i buxhetit nga ana jonë, tregon mbështetjen për Luftëtarin. Duhet të zbresim nga ethet eloktorale, të shikojmë interesin e klubit dhe qytetin. Ne kurrsesi nuk mund të shtojmë problemet që ka futbolli në Gjirokastër. Le të japim një mesazh që jemi në mbështetje të klubit dhe do të miratojmë fondin, por me kushtin që të bëhet auditi“.
Armand Hila, kryetari i Këshillit të Qarkut: “Kërkojmë që për vitin 2019 të ketë monitorim të të gjitha shpenzimeve, në mënyrë që këto lekë të shkojnë në vendin e duhur dhe të mos shpërdorohen kot“.
Ndërkohë, ka reaguar pas këtij vendimi edhe zyrtari Gentian Nora, i cili në Facebook shkruan: “U riktheva te ekipi në një moment të vështirë, kur shumë mendonin se ekipi do të rrënohej. Por, ju e dini mirë që kemi kaluar shumë vështirësi dhe me parë dhe ja ku jemi duke u ringritur. Po them duke u ringritur, sepse jam i bindur që çdo gjë do të shkojë mirë pas miratimit nga Këshilli Bashkiak dhe Bashkisë së fondit për sportin dhe kjo do të na ndihmojë shumë edhe ne si staf teknik në punën tonë. Nga Janari do të kalojnë në llogari të klubit 300 milionë dhe më pas të ardhura të tjera plus nga sponsor, Uefa etj. Përveç bashkisë dhe anëtarëve të këshillit që treguan pozitivitet një falënderim i veçantë i shkon deputetit Bledi Çuçi për përkrahjen ndaj Luftëtarit. Shembull që duhet ndjekur, Luftëtari është i të gjithëve! Bëhu Luftëtar, kemi nevojë për ju.”/Panorama Sport