Futboll i bukur, emocione dhe gola spektakolarë. Kjo jo vetëm për meritë të Skënderbeut, që fitoi 3-0 përballë Luftëtarit, por edhe për meritë të gjirokastritëve, që pavarësisht se u paraqitën të gjymtuar në Korçë, nuk hoqën dorë nga loja karakteristike që i ka mahnitur të gjithë. Gjithsesi, mungesat e pesë titullarëve Boyom e Beqiri në qendër të mbrojtjes, Ramadani në mesfushë, Brahimajt i dëmtuar dhe yllit të ekipit Kristal Abazaj në krah krijuan një boshllik të vështirë për tu mbushur.
Te Skënderbeu diferencën e bën kualitetet dhe eksperienca. Në të 25-ën Salihi shërbeu te Gjergji Muzaka, që në ndeshjen e parë realizoi edhe golin e parë në rikthimin te Skënderbeu. Luftëtari vuajti goditjen, ndërsa korçarët provuan të shfrytëzonin momentin fillimisht me Salihin dhe më pas me Radas, që ishte i pafat.
Gjirokastritët treguan se nuk kishin ndërmend të dorëzoheshin, me debutuesin Mutumane që ishte i pafat. Goditja me kokë e mesfushorit nga Mozambiku u frenua nga shtylla me portierin Shehi që e largoi topin, ndërsa gjirokastritët pretendonin që e kishte kaluar vijën e portës. Pas atij episodi, ishte Rexhinaldo ai që pretendoi 11-metërsh pas ndërhyrjes së Jashanicës, por gjyqtari Xhaja vazhdoi lojën.
Me Luftëtarin të hedhur në sulm, Skënderbeu përfitoi dhe i goditi gjirokastritët me kundërsulmin e rrufeshëm të Liridon Latifit. Mesfushori i Kombëtares lëshoi një goditje të shkëlqyer nga distanca, duke kombinuar teknikën dhe potencën, duke mos i lënë asnjë shans portierit Ruçi.
Megjithë disavantazhin, Luftëtari e mbylli lojën në sulm, por goditja e radhës ishte edhe lëndimi i yllit tjetër të skuadrës, Devji Bregu, që u zëvendësua përpara pushimit ndërmjet pjesëve nga Zogaj.
Pavarësisht humbjeve në cilësi, skuadra e Milinkoviç nuk u dorëzua dhe provoi të shënonte me Zguron por goditja përfundimtare erdhi në të 75-ën nga Marko Radas. Kroati realizoi një gol të jashtëzakonshëm nga distanca e largët, duke vulosur suksesin e Skënderbeut.
Në suksesin me goleadë edhe Salihi kërkoi pak lavdi personale, por pa mundur të thyente Ruçin, ndërsa Luftëtari e mbylli ndeshjen në sulm dhe pavarësisht humbjes meritoi sërish komplimente.
Për Skënderbeun e trajnerit Daja, kjo ishte fitorja e pestë në gjashtë ndeshje mes kampionatit dhe Kupës, por ndeshja e parë ku skuadra realizoi më tepër se një gol. Një sukses që përveç sinjaleve pozitive nga sulmi, i shërbeu korçarëve për ti bërë presion Kukësit, me diferencën nga kryesuesit që u ngushtua përkohësisht në vetëm një pikë.