Kur të gjithë prisnin ndonjë deklaratë të Vangjel Tavos për mandatin të cilin pritet t’ia marrë Ediola Braha, ai në fakt ka bërë një reagim të çuditshëm. Gjoja në formularin e parë të deklarimit se hiqte dorë nga mandati i deputetit, që u dorëzua në Kuvend, Tavo pretendon se ka shkruar gabim emrin e babait të tij. Për këtë arsye thotë ai, do duhet ta dorëzojë edhe njëherë atë formular sapo të kthehet në Shqipëri. Pra, ne tani duhet të besojmë që Vangjel Tavo ngatërron emrin e babait të tij? Gënjeshtër!
E gjithë kjo është taktika e tij e paramenduar për të mos e djegur mandatin përfundimisht. Qëllimisht Vangjel Tavo ka shkruar gabim emrin e babait të tij sepse ka besuar se djegia e mandateve kishte për të qenë thjesht shaka e Lulit dhe Monikës. Nga ana tjetër ai as që e kishte menduar se edhe Ediola Braha do t’i dilte nga rreshti. Tani që numri dy i listës së LSI-së në Gjirokastër do të marrë mandatin e tij, Tavo nxjerr në skenë alibinë e lapsusit me emrin e babait. Fillimisht infiltroi në portalin e Anila Bashës, lajmin se ishte bërë gabim me procedurën e lënies së mandateve dhe më pas ka bërë vetë një reagim në Facebook ku konfirmon se ka ngatërruar emrin e babait.
Ja çfarë shkruhet në lajmin e NeësBomb.al
“Kështu, deputeti i LSI Vangjel Tavo, ka nënshkruar me dorën e tij emrin Vangjel Harallamb Tavo, mirëpo ky është një lapsus shpejtësie bërë nga deputeti. Emri i babait të Vangjel Tavos, me dokumenta, është Llambi dhe jo Harallamb. Për rrjedhojë akti i dorëheqjes nga deputeti është i pavlefshëm.
I kontaktuar nga neësbomb.al, Tavo pranon lapsusin nga ana e tij por ndërkaq, dënon mungesën e seriozitetit nga ana e institucioneve.
“Unë e pranoj lapsusin për të cilin më ka informuar një kolegu juaj gazetar. Babai im quhet Llambi por ngaqë miqtë i thërrasin Harallambi, nga shpejtësia e nënshkrova kështu. Absolutisht i qendroj linjës opozitare për djegien e mandateve dhe sapo të kthehem do firmos edhe njëherë dorëheqjen. Por nga ana tjetër, ja ky është serioziteti i institucioneve tona. Askush nuk e verifikoi atë që unë kisha shkruar. Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve nuk më thirri qoftë dhe për të bërë një verifikim të gjeneraliteteve të mia. Ai dokument, me atë gabim në nënshkrim i ka kaluar direkt KQZ-së”, pohon Vangjel Tavo për neësbomb.al duke ritheksuar se do kthehet të firmosë edhe njëherë djegien e mandatit.
Pas këtij lajmi Tavo bën deklaratë në Facebook duke iu përmbajtur së njëjtës linjë dhe kujdeset të thotë se do të firmosë sërish lënien e mandatit sapo të kthehet në Shqipëri. E thënë më shkoqur, kjo është manovër e tij për të mos e djegur përfundimisht mandatin dhe për të bllokuar Ediola Brahën e cila është në pritje. Qëllimisht tani do të vonojë mbërritjen në Shqipëri për të lënë mandatin.
Pra, do e mbajë ‘peng’ mandatin me shpresën se deri më atëhere do të ketë zgjidhje të krizës. Sigurisht që gabimet njerëzore i ndodhin kujtdo, por Tavo ka më shumë se 20 vjet në Kuvend, ka firmosur me qindra e mijëra dokumente ku i është dashur të vendosë edhe atësinë.
Ta ketë ngatërruar pikërisht tek formulari i lënies së mandatit? Emri i babait nuk është as emri i ndonjë shoku, shoqeje apo i ndonjë të dashure të hershme që edhe mund ta ngatërrosh. Vangjel, mos na fyej inteligjencën! As ata që bëjnë be për kokën tënde s’e besojnë këtë gënjeshtër!
©argjiroja.net










