Edhe në Gjirokastër e marrin me sportivitet deklaratën e dhënë nga Pashka Laska. Madje, ata kujtojnë se çdokush që ka fakte, mund t’i drejtohet edhe Prokurorisë.
Është vetë sekretari i klubit gjirokastrit, Gentian Nora, ai që reagon pas akuzave të presidentit të Laçit. “Nuk e shohim si akuzë. Është thjesht mendimi i tij personal. Ne nuk merremi me këto hamendësime, por shohim punët tona siç kemi vepruar deri tani. Nëse ai mendon kështu dhe ka fakte, me këto merret Prokuroria”, tha Nora për mediat për këtë çështje.
Situata
Sakaq, skuadra ka vijuar edhe dje përgatitjet për javën anti-Vllazni. Drejtuesit e quajnë si një finale këtë ndeshje, ndaj presin mbështetje masive në stadium. Për këtë motiv, klubi ka vendosur që hyrja të jetë falas. Ndërkohë që po bëhen të tjera ndryshime në ambientet e fushës dhe stadiumit.
Deri ditën e ndeshjes do të përfundojnë jo vetëm pastrimet dhe lyerjet me ngjyrat bluzi të rrethimit të fushës, por edhe muri rrethues do të ketë një kolor të ri në ngjyrat e flamurit. Dy lojtarë nuk do të ketë në dispozicion Mlladen Milinkoviç në këtë takim. Shkodrani Behar Ramadani është i dëmtuar, ndërsa Vangjel Zguro i pezulluar prej kartonëve.
Takimi me Vllazninë konsiderohet si finale, për vetë pozitat që kanë këto dy skuadra në klasifikim. Një fitore ja bën Luftëtarit më të mundshëm qëndrimin në elitë, ndërkohë që çdo rezultat tjetër i komplikon objektivat. Barazimi me Laçin nuk është pritur mirë dhe vetë futbollistët e kanë ndjerë se në atë ndeshje nuk dhanë maksimumin e mundshëm, ndaj kthesa ndaj Vllaznisë kthehet në detyrim.