Nga Skerdilajd Zaimi
Jemi në rrugën “Abedin Dino” në Sarandë. Për atë që ka jetuar aty e di shumë mirë se çfarë do të thotë ujë me orar. Jo tani, por qysh në kohët kur Saranda propagandohej si vitrina e Shqipërisë sonë të dashur socialiste. Saranda është nga ato vende ku nuk të bëhet ta hapësh televizorin. Ku Tirana të duket si një vend tjetër, i ndryshëm, i largët, si pas një dogane të cilën e kalon për herë të parë.
Ndaj edhe njeriu, që mundet të jetë shndërruar pas ndonjë blerjeje çfarëdo në një turist, e ka jashtë rutiënës së vet interesin për spektaklin qeveritar të Bablokut. Por në kullotjet dixhitale të syrit mbi celular, irisi të kap tituj që të japin shpresë: Goditjet ndaj informalitetit në Sarandë janë të pamëshirshme.
Parada e kuponit tatimor është në pikun e vet. Të duket se je duke dëgjuar edhe në radio zhurmën tipike të makinetës që nxjerr letrën. Po çfarë më duhet mua kjo? Unë nuk kam ujë në shtëpi. Kuponi është halli i shtetit, apo qeverisë. Uji në shtëpi është hall im si qytetar, apo edhe si fshatar që për konvencion për quajnë ngado nëpër fjalime qytetar.
Ujë s’ka. Ncuq. Pikë. Vjen në orën shtatë të mëngjesit, të thotë një komshi i stërvitur me këto marifete. Pallati ka 10 pompa, që janë provë optimiste e faktit se të paktën ky numër është dy herë më i vogël se numri i mendjeve që popullojnë të ashtuquajturën godinë.
Ja se çfarë thotë një tjetër. Kur ishte Nanua, kryebashkiaku i Korfuzit i tha që të bënte lidhjet për Sarandën dhe mandej si kompensim të furnizohej falas ishulli. Desh u bë, por dolën ministrat shqiptarë dhe thanë që “e bëjmë vetë”. Ja e bënë. E shikon?
Kanë bërë një depo të re, por nuk e kanë lidhur akoma. Se këta bëjnë depon pastaj çojnë tubat. Variant tjetër ky.
Ka edhe një më të vjetër, me të dëgjuar prapë. U bë ujësjellësi me Navaricën sepse ziheshin inxhinierët që projekti me Bistricën është më I dobishëm apo ai me Navaricën. Përfundimi? Pa ujë.
Në dimër ka sa të çahen tubat, thotë tjetri. Ndërkohë në rubinet nuk ka asnjë pikë. Ka dy ditë që uji nuk vjen dhe depozita është boshatisur. Ndërkohë që ka 40 vjet, qëkur Saranda na u bë Qitet që shurra konkuron denjësisht çezmat e shtëpive për presionin e vogël dhe të madh. Një tub shtesë atje, një pompë më tutje, depozita pa fund në këtë Qitet të njëmijë e një depozitave, që na qenka edhe turistik pa le.
Sigurisht që në lokale dhe hotele kjo nuk ndihet. Turisti nuk e sheh këtë gjë, por mëse Saranda po ndjek rrugën e profilizimit të turizmit duhet që të nisë të mendojë në funksion të kësaj perspektive. Duke nisur që nga Uji. Për të gjithë banorët, 24 orë në gjithë vitin. Kjo është A-ja e kësaj pune. Për të vazhduar me ndalimin e ndërhyrjeve pa fund që bëhen, me rishikimin e mënyrës sesi arnohet peizazhi urbanistik dhe duke i dhënë zgjidhje të diferencuar parkimit, përpunimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza.
Por ta nisin nga Uji. Sepse të dhjerit rehat në mëngjes nuk ka pse të jetë privilegj i turistëve që rrojnë përkohësisht hoteleve, as edhe të larët e syve. Njeriu nuk ka pse të ketë bezdi të hyjë në shtëpi të vet sepse kështu qenka e thënë nga zyrtarët e ujësjellësit. Qytetari kaq mund të ketë për momentin në mendje sepse perlën e Mesdheut ja lë reportazhierëve me nam. Ai ka reportazhin e përditshëm para rubinetit që e sfidon si artifakt kuriozitetin me nevojën e përditshme, të dyja që paguhen rregullisht në fund të muajit./ Respublica